Shqipëria kryeson me studentë që studiojnë jashtë në Evropë

Zvicra ka dy studentë që studiojnë jashtë për 1000 banorë, derisa Gjermania vetëm një

 

Nxënësit shqiptarë janë më të prirë të studiojnë jashtë në krahasim me të gjithë studentët e tjerë në Ballkan, Evropën Qendrore e Lindore dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore. Shqipëria ka numrin më të lartë të studentëve që zgjedhin për të studiuar jashtë për 1000 banorë.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, numri i studentëve shqiptarë që kanë vendosur të studiojnë jashtë në 2017-n ishte 24,543 persona. Sipas përllogaritjeve të Monitor në 2017-n për çdo 1000 banorë, kishte 9 studentë që studionin në arsimin e lartë jashtë vendit. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e para për numër më të lartë për 1000 banorë.

Vendi i dytë në rajon për numër më të lartë studentësh që zgjedhin të jetojnë jashtë është Mali i Zi. Në vlerë absolute, në 2017-n rreth 4763 të rinj malazezë kishin vendosur të studionin jashtë (popullsia në Malin e Zi nga të dhënat më të fundit është 622 mijë banorë). Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, Greqia dhe Bullgaria për çdo 1000 banorë kanë tre studentë që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë. Më pas, renditen vende si Kroacia dhe Rumania, të cilat kanë secila nga dy studentë për 1000 banorë.

Vendet e Evropës Perëndimore, por edhe Amerika kanë një numër shumë të ulët të studentëve që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë në raport me popullsinë. Zvicra ka dy studentë që studiojnë jashtë për 1000 banorë, derisa Gjermania vetëm një.