Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Historisë të hënën në Tiranë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, që mundëson nxitjen e studimeve në fushën e albanologjisë. Me këtë marrëveshje, siç është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate për media, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka marrë përsipër të furnizojë falas me kopje dokumentesh Institutin e Historisë. Ndërkaq Instituti do të mundësojë hartimin dhe botimin e përmbledhjeve të dokumenteve arkivore.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, citohet të ketë thënë se ky bashkëpunim është një përfitim institucional, duke plotësuar njëri-tjetrin në burime njerëzore dhe në burime arkivore.
”Kjo marrëveshje realizon një interes kombëtar për sa u përket studimeve albanologjike dhe studimeve në fushën e përmbledhjeve të dokumenteve, duke nxitur më tej studimin e historisë sonë kombëtare”, citohet të ketë thënë Bido.
Akademiku Beqir Meta është shprehur i kënaqur nga ky bashkëpunim, duke falënderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
“Ky bashkëpunim do të shërbejë për të inkurajuar dhe për të zhvilluar kërkimin shkencor të historisë sonë kombëtare”, ka thënë ai. Kjo është marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.