Zejnulla VESELI
Shkup, 29 gusht – Në Samitin e fundit mes kryeministrave të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Durrës këtë fundjave, sërish vëmendje e posaçme dhe seriozitet iu kushtua formimit të një tregu të përbashkët ekonomik midis vendeve të rajonit. Por, shtrohet sa janë të gatshme këto gjashtë shtete, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, t’i heqin të gjitha barrierat doganore dhe burokratike dhe të krijojnë një treg të përbashkët. Biznesmenët e Maqedonisë dhe Kosovës, por edhe ekspertët ekonomik, nuk janë edhe aq optimist se tregu i përbashkët rajonal ekonomik do t’i vendosë në pozitë të barabartë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me vetë faktin se marrëveshja e arritur në Durrës më tepër është politike se sa ekonomike. Si pengesë më e madhe që të funksionon ky treg i përbashkët, sipas biznesmenëve dhe ekonomistëve, është mos vendosja e barabartë e të gjitha shteteve, ku nuk përjashtohet se përftime më të mëdha do të kenë Serbia dhe Shqipëria, me vetë faktin se Qendra Transportuese do të ketë selinë në Beograd, ndërsa në Tiranë do të jetë selia e Fondit investues. Kështu që, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi do të jenë vetëm pjesë e këtij procesi. Për ekspertin ekonomik Marjan Petreski, hapi i parë për formimin e një tregu të përbashkët u bë më formimin e zonës për tregti të lirë CEFTA, edhe pse shumë studime të dokumentuara flasin se CEFTA ishte një hap pozitiv edhe përkundër faktit se deri më sot disa vende anëtarëve të CEFTA-s kanë pozitë dominante sa i përket tregtimit të lirë. “Kjo ndodhë kështu për shkak të potencial të vogël vendor në treg që ka Maqedonia dhe për shkak të fuqisë së vogël blerëse. Nga këtu, mund të themi se pozicioni i Maqedonisë edhe sikur të jetë pjesë e këtij procesi, nuk lë hapësirë të shumtë për përfitime”,thotë Petreski . Sipas Petreskit, nuk është mirë që Maqedoni të mos e rrisë bashkëpunimin ekonomik me 6 vendet e rajonit, por nga ana tjetër, ai nuk pret që shumë shpejtë të arrihen rezultate pozitive. “Integrimin evropian më shumë e shoh në drejtim të dy grupeve qëllimore. E para, të përgatitet Maqedonia mirë që të bëhet pjesë e këtij procesi për një qasje të përbashkët në tregun evropian dhe ndërkombëtar. E dyta, të rriten standardet e prodhimeve sipas rregullativave të vendeve të BE-së, si dhe harmonizimin e standardeve të politikave industriale, investuese si dhe politikave të furnizimeve publike. Ide më mirë për momentin do të ishte formimi i një banke zhvillimore rajonale, sidomos për ato projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo dukshëm do të rriste produktivitetin dhe atraktivitetin në vendet e rajonit të Ballkanit perëndimor për të rritur investimet, kështu që shumë shpejtë do ta ofronte Maqedoninë por edhe vendet e tjera të rajonit në BE për nga aspekti ekonomik”, thotë Marjan Peterski.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekomomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, për gazetën KOHA thekson se edhe pse Kosova ka probleme më të mëdha politike për të cilat po debatohet, iniciativat e reja siç janë integrimi i vendeve të rajonit në një treg të përbashkët me rekomandim të BE-së, nuk duhet të shqyrtohet në aspektin politik, por në dimensionin ekonomik. Në këtë drejtim, thotë Gërxhaliu, Kosova nuk duhet të jetë kundër këtyre e iniciativave, por duhet të kemi alternativa dhe skenarë të mirëfilltë dhe problemet politike t’ia lëmë të kaluarës. “Nëse analizohen mirë e mirë rekomandimet që dolën nga samiti i mbajtur në Paris, e më pas edhe në Trieste, definitivisht Kosova e ka pranuar këtë ide. Mirëpo, Kosova mund të jetë pjesë e këtij procesi vetëm atëherë kur do të jetë e barabartë me vendet e rajonit dhe të hiqen të gjitha barrierat ekonomike si dhe lëvizjen e lirë e të bërit biznes që i bëhen nga vendet e rajonit. Është më se domosdoshme dy kushtet themelore të zgjidhen, e para të hiqen të gjitha këto barriera politike që e pengojnë zhvillimin e një tregu të përbashkët ekonomik me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së pari të zgjidhen të gjitha këto barriera politike, pastaj mund të flasim për një treg të përbashkët ekonomik rajonal. Është mirë që prioritet të jenë zgjidhje e proceseve politike e më pas të flitet për procese ekonomike”, thekson ai. Kryetari i OEK–së Gërxhaliu thotës se Kosova nuk ka kohë të ju thotë jo këtyre proceseve që kërkohen nga BE-ja, por vetëm nëse trajtohemi si të barabartë dhe të jemi të pranuar nga Serbia dhe Bosnja. Ky duhet të jetë kriteri kryesor që Kosova të bëhet pjesë e procesit për krijimin e një tregu të përbashkët Shqipëri, Kosovë , Maqedoni, Mal i Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi”, thotë Grëxhaliu. Ai më tej shprehet se së pari duhet të formohet një grup ekspertësh ekonomik dhe të analizohen të gjitha detajet se cilat do të ishin përfitimet apo humbjet ekonomike nëse Kosova do të ishte pjesë këtij tregu rajonal të përbashkët ekonomik. “Duhet saktë të analizohet se sa prodhimet “Made in Kosova” do të blihen nga shtetasit në Serbi, Maqedoni dhe Bosnje. Të gjithë e dimë se sa e lartë është shkalla e nacionalizmit në këto shtet ndaj çdo gjëje që është prodhim shqiptar. Dhe nëse arrihet të minimizohen këto nacionalizma atëherë të shpresojmë se tregu i përbashkët ekonomik në rajon do të eliminon të gjitha urrejtje nacionale dhe të frymëzojmë lirshëm dhe bashkarishtë të shkojmë drejt integrimit në vendet e BE-së”, thotë Gërxhaliu duke përseitur edhe njëher qëndrimin e tij se Kosova nuk e ka at komoditet që t’ju thotë jo iniciativave që dalin nga Bashkimi Evropian dhe të dëshmon se udhëheqë politikë recensuese qoftë integrimit në BE apo dhe tregun e përbashkët ekonomik me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Mirëpo duhet të kemi kujdes që të mos të ndodhë si me marrëveshjen e CEFTA-së e cila shkelet nga të gjitha vendet e rajonit duke trilluar lloj-lloj barrierash për të ndaluar prodhimet kosovare të futen në tregjet e vendeve të CEFTA-së. Ne si shtet i pavarur nuk duhet të bëjmë asgjë me tepër se vendet e rajonit për të mbrojtur prodhimet kosovare. Nuk mund të trajtohemi si jo evropian nëse kërkojmë që në radhë të parë që Kosovarët të blejnë prodhimet vendore. Nuk mund të presim se çdo iniciativë që vjen nga BE-ja do të zgjidhë të gjitha problemet nëse në vetë shqiptarët që jetojmë në Ballkanin perëndimor nuk vetëdijesohemi dhe bashkërisht të luftojmë të gjitha problemet që i krijojmë vet port të punojmë në ngritjen e nacionalizmit tek shqiptarët ashtu që t’ju themi jo iniciativave nga BE-ja që dëmtojnë politikisht dhe ekonomikisht shtetin e Kosovës “, thotë Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Angjushev: Ideja për bashkim ekonomik në Ballkan, është e mirë
Ideja për bashkim ekonomik në Ballkan është e mirë, vlerësoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. “Kjo është ideja si ne t’i parandalojmë barrierat administrative për bashkëpunim mes shteteve. Në këtë rast duhet t’i gjithë t’i shqyrtojmë pikëpamjet personale në bashkëpunimin e këtillë dhe mendoj se përmes një bisede konstruktive me të gjithë fqinjët tanë dhe me tërë rajonin ekonomia e Maqedonisë mund të realizojë benefit nga kjo masë. Vetëm duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i ndjekim ngjarjet dhe në të njëjtat aktivisht të kyçemi dhe të participojmë. Ashtu Maqedonia e izoluar, e ndarë siç ka qenë deri më tani absolutisht nuk ka pasur mundësi të ndikojë në asgjë. Maqedonia e integruar edhe në marrëdhënie të mira me fqinjët ka mundësi të ndikojë në gjithçka dhe t’i mbrojë interesat e veta”, tha Angjushev. I pyetur nëse afaristët do ta respektojnë masën e re qeveritare për rritjen e pagës minimale dhe nëse kjo do të ndikojë që të pakësohet mungesa nga fuqia e kualifikuar e punës në rajonin lindor në vend, Angjushev u përgjigj se ai si zëvendëskryeministër, por e tërë Qeveria do të angazhohet për rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve. “Mendoj se jemi dëshmitarë të të gjitha ngjarjeve ku u bëjmë apel të gjithë afaristëve të ndërmarrjeve në RM të kenë qasje pak pozitive ndaj rritjes së pagave të të punësuarve, dhe në këtë drejtim është edhe masa për pagë minimale, ndërsa ideja është që vazhdimisht të rritet. Gjithsesi ato janë pak mjete që të mundet të jetohet mirë, ndërkaq ato janë gjithsesi më shumë mjete nga ajo që është marrë deri më tani. Atë që mund t’ua them është se krahas me këtë masë për pagën minimale rritja e pagave në RM do të stimulohet dhe me pakon e masave për industrinë që do të publikohen në shtator, dhe do të shihni se praktikisht ndihma e tërë shtetërore e cila do të jepet ndaj industrisë dhe ekonomisë për ngritjen e konkurrencës së saj do të jetë e lidhur me lartësinë e pagave të punësuarve. Konsiderojmë se me ato masa do të hapim një spirale shtesë pozitive për rritjen e pagës, ndërsa me vetë atë edhe për ngritjen e standardit të qytetarëve të RM-së”, tha Angjushev.