Nga Qerim LITA
Në disa numra të kaluara, lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup, patën mundësi të informohen më për së afërmi për politikën antishqiptare të udhëheqjes komuniste maqedonase gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Duhet vënë në dukje se kjo ide antishqiptare, rezultoi menjëherë pas përmirësimit të marrëdhënieve turko-jugosllave (1951), që këta të fundit do ta shfrytëzojnë për depërtimin e dhunshëm të shqiptarëve nga këto troje dhe kolonizimin e tyre me popullsi sllave. Udhëheqja komuniste jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, ishte plotësisht e bindur se me përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Turqinë në njërën anë, si dhe zbatimin e një presioni të dhunshëm ndaj shqiptarëve, në disa drejtime, do të ndikonte, siç thuhet, në një dokument: “në rritjen e menjëhershme të tendencës për shpërngulje për në Turqi”. Gjithnjë sipas këtij dokumenti, shpërngulja ishte e lidhur për disa arsye: “tradita e kësaj dëshire që nga Lufta Ballkanike, rezistenca e popullatës myslimane, e cila nuk është e liruar nga konservatorizmi dhe fanatizmi fetar ndaj ndërtimit socialist, propaganda në Turqi (që përcillet nëpërmjet letrave dhe shtypit te ne), dhe aktiviteti i autoriteteve të ndryshme (politike dhe fetare), nga ndikimi i të cilëve ende nuk janë larguar masat e pakicave..”. Për zbatimin sa më parë të kësaj politike, J.B.Tito dhe kabineti i tij, gjatë vitit 1951 organizuan disa takime sekrete me ambasadorin turk në Beograd, Fuad Kyprili. Ky diplomat, në këto takime do të pajtohet që të ripërtërihet Konventa e para Luftës së Dytë Botërore, e arritur midis Turqisë dhe Mbretërisë jugosllave, e cila parashihte shpërnguljen e shqiptarëve nga këto vise për në Turqi. Sa për fillim, dy palët ranë në ujdi, që Jugosllavinë ta vizitonin misionarë të ndryshëm turq, me detyrë speciale që në vendbanimet shqiptare të propagandonin politikën e shpërnguljes, sigurisht duke e lavdëruar Turqinë. Nuk vonohen shumë, që kjo ide të fillonte të zbatohej në praktikë, përkatësisht, ca qindra qytetarë të Republikës së Turqisë, gjatë verës së vitit 1951, të qëndronin nëpër disa qendra të rëndësishme shqiptare si në: Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Manastir etj. Gjatë kontakteve me të afërmit e tyre edhe me shtresat e ndryshme shqiptare si me zejtarë, tregtarë etj., lavdëronin Republikën e Turqisë dhe politikën e saj si dhe jetesën “shumë të mirë”. Kjo propagandë, së shpejti u përhap në mbarë hapësirën shqiptare nën pushtimin jugosllav, me çka faktikisht u ringjall politika e vjetër hegjemoniste serbe, e cila në vete përmbante dy pika: shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike dhe kolonizimin e tyre me kolonë serbë.
Vendosjen, përkatësisht përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Federatës komuniste të Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë, inteligjenca e atëhershme shqiptare vlerësonte se nëpërmjet një politike të tillë, Beogradi dëshiron të krijoj klimë pozitive te popullsia myslimane në përgjithësie, e te shqiptarët në veçanti, për shpërnguljen e tyre në Republikën e Turqisë. Nisur nga ky konstatim, ajo ndërmori hapa konkret për ta penguar këtë proces, i cili u zhvillua nëpërmjet tre fazave: hapja e shkollave turke në vendbanimet e pastra shqiptare; propaganda dhe agjitacioni në mesin e popullsisë shqiptare në prag të regjistrimit të popullsisë i cili u mbajt në pranverë të vitit 1953 që ato të deklaroheshin si turq; dhe faza e tretë: organizimi institucional i procesit të shpërnguljes. Sikurse në qytetet tjera, edhe në Shkup, në ballë të kësaj veprimtarie atdhetare ishte inteligjenca shqiptare, e cila, në kushtet e atëhershme, kur organet e sigurimit përcillnin çdo lloj veprimtarie të saj, morri guximin që t’u kundërvihet kësaj fushate, nëpërmjet formave të ndryshme. Gjëja themelore për ta ishte: “të punohet për njohurit nacionale të masave që t’u thuhet atyre se janë shqiptarë, se ky vend është vend shqiptarësh dhe ata nuk duhet të shpërngulen etj…”.
Ndër personalitet që asaj kohe dhanë kontribut të çmueshëm në pengimin e asimilimit të popullsisë shqiptare dhe shpërnguljen e tyre për në Turqi, ishte edhe mësuesi i SH.F. LIRIA – Shkup, Isak Çavoli. Burimet arkivore hedhin dritë se Isak Çavoli kishte lindur në vitin 1913 në Pejë. Më vonë, përkatësisht gjatë viteve njëzeta të shekullit të kaluar, familja Çavoli ishte detyruar të shpërngulet në Shqipëri. Aty ai mbaron shkollën fillore si dhe shkollën e mesme, përkatësisht Normalen e Elbasanit. Një periudhë punoi si mësues, ndërsa pe kapitullimin e Mbretërisë jugosllave, Isak Çavoli emërohet sekretar politik në Prefekturën e Prizrenit, ndërsa më vonë në nëprefekturën e Tetovës. Me mbarimin e LDB-së, Isak Çavoli, i pa kënaqur me pozitën e shqiptarëve, u kyç në Organizatën ilegale Nacional Demokratike Shqiptare, përkatësisht në komitetin e qarkut të Pejës. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në vitin 1946 në Prizren kundër veprimtarëve të NDSH-së, Isak Çavoli, u dënua me dy vjet heqje lirie. Pas vuajtjes së dënimit u vendos në Prishtinë, ku fillimisht punoi si përkthyes pranë Këshillit të Arsimit, e më vonë sërish iu kthye profesionit të mësuesit, duke u angazhuar në shkollën e mesme ekonomike në Prishtinë. Në pranverë të viti 1951, me vendim të drejtorit të shkollës, Isak Çavoli përjashtohet nga puna, nën pretekstin se ka kryer veprimtari “armiqësore”, apo siç do të shprehet para organeve hetuese: “për shkak veprimtarisë sime armiqësore të cilën e kreva gjatë orës së mësimit, pasi para nxënësve përpunova një këngë me titull Shqipëria e Robëruar”. Në vjeshtën e atij viti (1951) vendoset në Shkup, ku fillimisht punon si mësues në fshatrat e Dervenit, që më pas në Sh.f. LIRIA të Shkupit. Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet shqiptarë, ai mbante lidhje të ngushta me disa intelektual shqiptarë, në radhë të parë me vëllezërit Memedali e Eshref Hoxha, Mehdi Bajraktarin, Sejdi Raufin etj. Në pranverë të vitit 1957, UDB-ja përmes bashkëpunëtorit “Xh. P.”, njoftohet se Isak Çavoli, ka dash të kryej atentat ndaj J. B. Titos, përkatësisht, siç vënë në pah burimet e proviniencës policore maqedonase: “më 27 maj 1957 kur Tito e ka vizituar Kalanë e Shkupit, Isak Çavoli ka qenë aty e ka dashur ta vret Mareshalin, por atë nuk e ka kryer, sepse në dorë nuk ka pasur as çfarë mjeti, megjithëse ka pasur dëshirë atë ta kryej”. Për rrjedhojë, më 15 qershor të vitit 1957 burgoset, ndërsa një ditë më pas edhe bashkëveprimtari i tij, mësuesi i Eshref Hoxha. Në fakt burgosja e këtyre atdhetarëve shqiptarë ishte paraparë të kryhet. Në informatën e lëshuar më 6 gusht të vitit1957 nga ana e UDB-së, shprehimisht thuhej: “Që në kohën e hetimit ndaj grupit Purde u informuam për Eshref Hoxhën si anëtarë i organizatës. Kah mbarimi i muajit prill të këtij viti kur u shqyrtua puna e referatit shqiptar në Njësinë e Qytetit u vendos që të burgoset Eshref Hoxha e të dërgohet para gjyqit, e njëherë të ndërmerren masa kundër Isak Çavolit si lidhja e Eshrefit. Propozimin për burgosje i përfshinte Eshref Hoxhën e Isak Çavolin, por për të fundin parashihej të burgoset pas Eshrefit, që të mund të merret material më konkret”. Në aktakuzën e Prokurorisë Publike, Isak Çavoi akuzohej për këto vepra:
“Si njeri me disponim armiqësor kundër rregullimit shtetëror e shoqëror të RFPJ-së, gjatë muajit shtator të vitit 1955, më herët i përvetësuar nga mësuesi Eshref Hoxha, u bë anëtar i grupit tash më të formuar ilegal e terrorist me të cilin udhëhiqej nga i dënuari Mevaip Purde, i cili grup pati për qëllim që përmes rrugës antikushtetuese të cenohet tërësia territoriale e RFPJ-së e nga ajo të shkëputen QA i Kosovës dhe pjesë nga krahinat perëndimore të RP të Maqedonisë e të njëjtat t’u bashkëngjiten Shqipërisë etnike; dhe
– për motive armiqësore ndaj rregullimit shtetëror e shoqëror të RFPJ-së, në bashkëveprim me Eshref Hoxhën, në nëntor të vitit 1955 kanë përgatitur arratisje në botën e jashtme – Gjermaninë Perëndimore, me qëllim që atje të vendosin lidhje me organizatën e emigracionit shqiptar ‘Shqipëria e Lirë’ e nga atje të kryejnë veprimtari armiqësore kundër RFPJ-së”. Në vazhdim, po e shpalosim një dokument të hartuar më 7 shtator 1957 nga organet e hetuesisë, ku i akuzuari Isak Çavoli në pika të shkurta e përshkruan veprimtarinë e tij atdhetare gjatë periudhës kohore 1950-1957.
* * *
“Menjëherë pas çlirimit të Jugosllavisë pata qëndrim armiqësor dhe shoqërohesha me persona kundërshtar të komunizmit me të cilët më vonë u anëtarësova në një organizatë armiqësore në të cilën veprova, u futa në disponimin e asaj organizate në luftën kundër regjimit ekzistues në Jugosllavi. Për punën time armiqësore qesh burgosur e dënuar. Pasi kaluan disa muaj pas lirimit tim nga burgu, u shpërngula në Prishtinë, ku u punësova në Këshillin për Arsim si përkthyes i librave. Në vitin shkollor 1950/51 u emërova arsimtarë në shkollën ekonomike. Në pjesën e dytë të vitit shkollor 1950/51 në Prishtinë u lëshuan zëra se do të hapen shkolla turke. Për hapjen e këtyre shkollave ende nuk pati komunikatë zyrtare porse biseda të tilla zhvilloheshin midis popullit në radhë të pare te nxënësit, prindërit e tyre dhe punëtorët e arsimit. Çështja e hapjes së shkollave turke në Prishtinë në mesin e neve punëtorëve të arsimit parasegjithash te mësuesit të cilët ishim më së shumti të interesuar dhe në bisedat reciproke si një ndër temat më të rëndësishme bisedonim për atë çështje. Kështu duke biseduar i krijuam bindjet tona dhe vlerësonim se është e padrejtë që në Prishtinë të hapen shkolla turke sepse nuk ka turq. Megjithëse ende nuk ishte zyrtare ne para vetes shtruam detyrën se do të duhet të punohet e të mos lejojmë hapjen e shkollave të tilla. Në fillim mendonim se kjo është një tendencë e pushtetit për t’i ndarë shqiptarët me atë që do t’i ndajnë fëmijët që më pas do t’u ofrohen aso kushtesh që të mund të shpërnguleshin për në Turqi. Gjithashtu, mendonim se në këtë mënyrë popullsia shqiptare në Kosovë do të bëhet më e vogël dhe se do t’i humb edhe ato pak të drejta të cilat i gëzon tani me atë që do të ketë më pak përfaqësues në pushtet e njëherë edhe kjo pjesë do të humbet si shqiptare sepse Kosovën ne e konsideronim si pjesë e Shqipërisë. Për këtë çështje u dalluan si më aktivët ata mësues të cilët kishin ardhur nga Shqipëria. Unë gjatë asaj kohe shpesh here takohesha me Zekiria Rexhën, Zeqir Bajramin, Sali Kolgecin dhe Mumin Jakupin. Me këta njerëz kam zhvilluar debate të gjera për qëllimet politike të pushtetit ndaj shqiptarëve dhe për atë se çfarë duhet ne të ndërmarrim, përkatësisht, të mos lejojmë hapjen e shkollave turke. Të gjithë këta njerëz patën këtë qëndrim dhe si të tillë vepronin asaj kohe.
Në nëntor të vitit 1950 mësuesi Zef Pekaj, shtetas shqiptar, tash mendoj se është në Shqipëri më tha se ne mësuesit pas mësimit duhet të tubohemi në shkollë për të biseduar rreth hapjes së shkollave turke. Për mbledhjen e njëjtë më tha edhe mësuesi Ejup Sadiku, shtetas shqiptar tash nuk e di se ku gjendet. Pas dite pasi mbaruan orët e mësimit u tubuam te shkolla dhe ngelëm rreth 30 minuta. Në këtë mbledhje ishin prezentë: Riza Muça, shtetas shqiptar, tash nuk e di se ku gjendet, Ejup Sadiku, Xhafer Poloska, tash në Shqipëri, e nuk jam i sigurt se a thua ishte prezent edhe Isak Dobrina. Mendoj se për këtë mbledhje është biseduar paraprakisht me Zekirja Rexhën mirëpo nuk e di se përse nuk mori pjesë. Mbledhjen e mbajtëm duke qëndruar në këmbë dhe diskutuam se do të duhet të verifikohet se a thua ka diçka të vërtetë në lidhje me atë që flitet për hapjen e shkollave turke. Thamë se nevojitet të marrim masa të parakohshme që të mos vij deri te hapja e shkollave të tilla e për këtë vendosëm të bisedohet me prindërit e fëmijëve se ndarja e fëmijëve nga shkolla shqipe në atë turke do të ndikoj shumë keq në shkollimin e tyre të mëtutjeshëm. Folëm se nuk është e drejtë të krijohet një hendekë i tillë midis shqiptarëve.
Në fillim të vitit 1951 në Prishtinë u mbajt një konference e zgjeruar në të cilën duhej të sqarohej çështja për hapjen e shkollave turke. Në atë konference prezent ishin një numër i madh i punëtorëve të arsimit nga Prishtina. Në debat u paraqitën më shumë diskutues nga të cilët disa ishin të mendimit se është e nevojshme të hapen shkolla të tilla ndërsa një numër i madh të diskutues e dënuan si të dëmshme dhe ishin kundër hapjes së shkollave të tilla. Në atë konference si diskutua u lajmërua edhe Zekiria Rexha dhe e paraqiti qëndrimin e tij se nuk është e drejtë të hapen shkolla të tilla në Prishtinë duke përkujtuar se popullsia atje është shqiptare.
Pas mbajtjes së kësaj konference kjo çështje debatohej në mënyrë të vazhdueshme mes nesh mësuesve. Debatonim se çfarë masash duhet të ndërmarrim që të pamundësojmë hapjen e shkollave turke. Një ditë mësuesi Ejup Sadiku më tha se sërish duhet të takohemi disa mësues për të biseduar për këtë çështje. Nuk më kujtohet saktësisht por më duket se ishte dita e diel, mendoj se u takuam sërish në shkollë, kjo ishte në prill të vitit 1951. Në atë mbledhje ishim unë, Zeqirja Rexha, Zef Nikaj, Riza Muça, Isak Dobranja mendoj se prezent ishte edhe Vehap Shitaj por nuk jam i sigurt për këtë. Vehapi tashti gjendet në Prishtinë. Edhe në këtë mbledhje dolëm me qëndrim se edhe më tej duhet punuar me masat parasegjithash me prindërit e nxënësve e t’u sqarohet për dukurinë e dëmshme e për pasojat të cilat do të shkaktohen nga ndarja e nxënësve.
Përderisa isha në Prishtinë miku im më i ngushtë ishte Zekiria Rexha. Me Zekirain kam zhvilluar biseda më të gjata dhe me të vazhdimisht kemi diskuar për shumë çështje e ndonjëherë kam kërkuar edhe këshillat e tij. Unë me Zekiriain njihem që nga viti 1935 në Shqipëri kur ai ishte sekretari i dytë në Ministrinë për Arsim të Shqipërisë së Zogut. Unë gjithmonë e kam vlerësuar Zekiriain si shqiptar i mirë dhe gjatë bisedave gjithmonë kemi pasur qëndrime të njëjta. Kemi folur se si duhet të punohet që të ruhet kompaktësia e shqiptarëve në Kosovë sepse në të kundërtën do të mund të humbet ajo trevë e të cilën e konsideronim se është shqiptare dhe kjo çështje një ditë do të gjej zgjidhje.
Më 30 prill 1951 nga ana e drejtorit të shkollës m’u dha vendimi se jam përjashtuar nga puna pa të drejtë ankese. U përjashtova për shkak veprimtarisë sime armiqësore të cilën e kreva gjatë orës së mësimit, pasi para nxënësve përpunova një këngë me titull “Shqipëria e Robëruar”. Në nëntor të vitit 1951 me kërkesën time arrita të punësohem si arsimtar në shkollën “Mirçe Acev” në Gjorçe Petrov. Nuk e di se në cilën kohë unë pata shkuar në Prishtinë për të kryer ndonjë punë timen. Në Prishtinë u takova me Zekirja Rexhën dhe gjatë bisedës ai më pyeti se si është gjendja rreth shpërnguljes në Maqedoni.
Në vitin 1954 në restorantin “Makedonija” në Shkup papritmas u takova me Zekirja Rexhën i cili për disa ditë kishte qëndruar në Shkup për kryerjen e disa punëve të veta. Aty nuk qëndruam shumë. Më pyeti shkurtimisht se si qëndron puna me shkollat shqipe me kuadrin dhe se a ka shumë shqiptarë që shpërngulen në Turqi. Më tha se a ndërmerret ndonjë masë sidomos nëpër fshatrat për ta penguar shpërnguljen, përkatësisht se a po punohet në atë drejtim. Iu përgjigja shkurtimisht i thash se të gjithë ata të cilët gjatë regjistrimit të popullsisë qenë deklaruar për turq tash po shpërngulen dhe se tash më nuk mundet të ndërmerret as çfarë mase. Në atë kohë në shkollën Liria qenë hapur paralelet e klasës së V. Të njëjtat qenë hapur pa pëlqimin e Këshillit për Arsim dhe pasi u hapen në mënyrë të parregullt ishte mase e kuptueshme se të njëjtat duhej të mbylleshin. Në lidhje me këtë në një takim që pata me Memedali Hoxhën, unë e pyeta se çfarë do të ndodhë me këto paralele. Memedaliu më tha se do të ishte jo e rregullt nëse të njëjtat do të mbylleshin, sepse kemi numër të madh të nxënësve shqiptarë të cilët do të duhet ta vazhdojnë shkollimin, kur paralele të tilla ekzistojnë në gjimnazin serb atëherë edhe ne do të luftojmë që mos të shkëputen këta paralele. Në këtë bisedë, Memedaliu u interesua se a ka nxënës nga shkolla shqiptare të cilët shpërngulen për në Turqi.
Sejdi Raufi është i lindur në fshatin. Bukoviq rrethi i Gjorçe Petrovit. Me të për herë të parë jam njoftuar në vitin 1952 në Bukoviq, si një njeri me autoritet të madh para fshatarëve, të cilët te ai shohin një njeri me besim shumë të lartë dhe si shqiptar i mire. Pasi miku im Mehmet Spahiu ishte shoku i ngushtë i Sejdi Raufit, mendoj se në një bisedë Mehmeti mua ma lavdëroi Sejdiun se është shqiptar i vërtetë, i cili në çdo moment është i gatshëm të punoj për të mirën e shqiptarëve. Më vonë fillova të takohem më shpesh me Sejdiun e ndonjë here sipas rastit të dhënë edhe të bisedojmë për disa çështje. Në një takim me Sejdiun zhvillova bisedë në lidhje me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Nga ajo bisedë edhe unë e pash se ka qëndrim të drejtë dhe se do të mund të shfrytëzohet kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Në një bisedë tjetër filloi të më fliste se si ai në stacionin hekurudhor në Shkup me sytë e vetë ka para një masë të madhe të popullit të cilët shpërngulen për në Turqi. I thash, jo vetëm se shpërngulen nga Shkupi, por vetëm se kanë filluar edhe nga fshatrat e Gjorçe Petrovit, duke e njoftuar për disa familje. Atëherë Sejdiu më tha mund të shpërngulen nga kudo, por nga terreni i Bokoviqit asnjë nuk do të shpërngulet për Turqi sepse ai ka njerëzit e vetë dhe përmes tyre atje zbatohet gjithçka çfarë ai iu rekomandon. Lidhur me çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi nga këto treva ne kishim qëndrim të njëjtë me Sejdiun, e dënonim si dukuri ë dëmshme sepse me atë një ditë këto treva do të humben si toka shqiptare. Në një bisedë tjetër më ka folur se si deputetin e popullit në atë pjesë nuk e donte populli dhe shtoi se posa të përfundoj me fakultetin do të përpiqet të kandidohet për deputet sepse atë e kërkonte populli i asaj krahine.
Hamid Osmani nga Prishtina ishte mësues në fshatin Lubin, Gjorçe Petrov, ndërsa në vitin 1956 u transferua si mësues në Kumanovë. Unë me Hamidin njihem që nga Prishtina. Si mësues në fshatin Lubin, pata rastin të takohem më shpesh me të dhe nga disa here edhe të bisedojmë rreth çështjes së shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ata paraprakisht e dija se është shqiptar i mirë dhe se me të mund të bisedoj më lirshëm. Në një bisedë ia parashtrova detyrën që edhe ai të punoj në mesin e fshatarëve për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi. Këtë detyrë, ai e pranoi e më pas kemi zhvilluar debate se çfarë pasoja të dëmshme mund të na ndodhin me zvogëlimin e numrit të shqiptarëve nga këto treva.
Në shkollën LIRIA, shpesh herë ne mësuesit mes veti e shtrojmë çështjen se si nxënësit përdorin më shumë fjalë turke se sa shqipe dhe se duhet të ndërmerren disa masa që nxënësit të mund të adaptohen të flasin vetëm shqip. Një numër i madh i nxënësve jashtë orës së mësimit qoftë kjo në klasë apo në oborr si dhe me prindërit e tyre flasin vetëm turqisht. Që kjo disi të pengohet, me nismën e arsimtarëve të cilët japin lëndën e gjuhës shqipe u morr qëndrimi që në shkollë nxënësit të flasin vetëm në gjuhën shqipe. Për këtë qëllim u organizua një mbledhje këshilluese me prindërit. Këtë çështje më së shumti e shtronin arsimtarët Jusuf Selimi, Shefqet Çarroli e Kimete Sadiku (Agai – Q.L). Çështja e njëjtë një herë u shtrua për debat në sallën e arsimtarëve të shkollës ku numri më i madh i mësuesve e mbështetën qëndrimin e mësuesve të lartpërmendur që në shkollë nxënësve t’u ndalohet të flasin gjuhë tjetër, përveçse gjuhës shqipe”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara