Tiranë, 23 shkurt – Në Shqipëri ka mbërritur edhe dërgesa e re prej 8.190 vaksinash nga kompania “Fajzer”, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 16.380 nga kjo kompani, nga gjithsej 500.000 vaksinat e dakorduara.
Duke folur para gazetarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës para se të vinin vaksinat, kryeministri Edi Rama tha se ishte në komunikim të vazhdueshëm me një vend mik për të siguruar 360.000 doza të vaksinave, duke shtuar se ai do të vizitonte vendin në më pak se dy javë.
Ndër të tjera, ai u kërkoi pronarëve të bizneseve të mos hapnin dyert e tyre për politikanët që bëjnë fushatë kundër masave të përshkruara, pasi, sipas kryeministrit, ata do të vuanin gjoba të rënda.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha këtë javë se “qëllimi është të përfundojmë vaksinimin e personelit mjekësor në të gjithë vendin”.
“Pas marrjes së sasisë së re të vaksinave, ne do të intensifikojmë procesin e vaksinimit. Deri më tani, janë vaksinuar mbi 6.000 punonjës shëndetësorë dhe këtë javë kemi ambicien të mbulojmë me imunizim personelin mjekësor në të gjithë Shqipërinë. Ne filluam me vaksinimin e kuadrove shëndetësor dhe vazhduam me personelin dhe të moshuarit të vendosur në shtëpi, ndërsa nga e diela edhe personat e moshuar të moshës 80 vjeç”, tha Manastirliu.
Ajo njoftoi se deri në fund të javës Komiteti i ekspertëve për menaxhimin e pandemisë do të analizojë situatën epidemiologjike dhe bëri thirrje për respektimin e rreptë të masave të mbrojtjes “në mënyrë që të mos përkeqësohen ato”.