Shqipëria e paradokseve!

28

“The Economist” shkruante së fundmi se pandemia po përdoret si mjet për rrëmbimin e pushtetit.  Një mundësi që nuk po ngurron të përdoret as nga drejtuesit shqiptarë, ku rritja e varfërisë dhe niveli i ulët i demokracisë vetëm sa i shtojnë më shumë mjetet për përqendrimin e pushtetit dhe arritjen e synimeve me një fokus të ngushtë përfituesish.

Jetojmë në Shqipëri! Është vendi që ka të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, me vetëm 30% të mesatares europiane dhe kjo përqindje nuk po ndryshon prej vitesh. Është shteti që, në pothuajse të gjitha renditjet, del i fundit, si për korrupsionin, ashtu dhe për qeverisjen, zbatimin e ligjit, shpenzimeve në shëndetësi, e me radhë lista është e gjatë dhe arrin deri te niveli i ulët i sofistikimit të bizneseve.

Jetojmë në një vend, që ka një ekonomi aq të dobët, saqë kriza e nxori përnjëherë zbuluar, duke pasur pritshmëritë për rënien më të lartë në rajon, deri në 9%, sipas vlerësimit të fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Borxhi i lartë, të ardhurat e ulëta buxhetore, informaliteti, struktura e dobët e ekonomisë e varur te tregtia e shërbimet dhe mikro bizneset, kosto e lirë e fuqisë punëtore si avantazh kryesor konkurrues, mungesa e sofistikimit do të bëjnë që shqiptarët të ndiejnë më shumë se kushdo tjetër pasojat e kësaj sëmundjeje që vetëm sa po e gërryen më tej këtë ekonomi të infektuar.

Dhe në këtë Shqipëri të varfër, ku shumëkujt i ka sosur durimi (vitet e fundit është gjallëruar sërish emigracioni, duke na bërë të parët në botë për kërkesat për azil në raport me popullsinë), nuk mungojnë paradokset. Në dy muaj, që vendi ishte në karantinë dhe mijëra individë humbën vendet e punës dhe qindra biznese rrezikojnë mbylljen, vijuan të lulëzojnë ndërtimet, duke zënë çdo hapësirë që kishte mbetur e lirë. Në Shqipërinë e varfër nuk duket se kanë ndër mend të ndalen kullat luksoze që po shiten me 4,000 euro për metër katror, duke e bërë kryeqytetin shqiptar ndër më të shtrenjtët në Europë, në raport me fuqinë blerëse.

Biznesi i vilave po lulëzon gjithashtu, në një tregues indirekt se pabarazia është shtuar dhe politikat ekonomike po funksionojnë vetëm në favor të një grupi të vogël. Banka Botërore vlerësonte në një raport të fundit se rritja ekonomike vitet e fundit nuk ka arritur të ulë varfërinë. Një rritje prej 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) e ka ulur varfërinë me 0.8% në 2013-2017, përkundrejt 1.2% që ishte ulur në periudhat e mëparshme, ndërsa në Serbi, për të njëjtën rritje, varfëria është reduktuar me gati 4%.

Por, paradoksi më i madh është në orientimin e prioriteteve. Ky ishte momenti më i mirë për të ngritur debatin frytdhënës për orientimin e një modeli ekonomik të vendit, në përputhje me ndryshimet që po imponohen nga situata e krijuar nga COVID-19, duke kërkuar një kurë afatgjatë për ekonominë që do të çonte në një shërim gradual të saj. Teknologjia e Informacionit, riorientimi i eksporteve, zhvillimi i bujqësisë, rritja e konkurrueshmërisë do të mund të hapnin një perspektivë për kalimin e ekonomisë në një nivel tjetër, me vende pune më cilësore dhe më të qëndrueshme (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).

Por ajo që po shohim është përqendrimi i energjive e burimeve në fusha shterpë. Zgjidhja po mundohet të gjendet (apo më mirë situata po shfrytëzohet) për tema të tillë si legalizimi i kanabisit, një dukuri që nuk i solli ndonjë të mirë vendit. Amnistia është një tjetër strategji e diskutueshme, pasi rrezikon që të legalizojë, ndër të tjera, dhe paratë e krimit dhe të korrupsionit dhe përveç disa arkëtimeve në buxhet, në afat të gjatë nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar.

Prishja e Teatrit është çështja tjetër që po konsumon shumë energji. Përtej debatit nëse duhej shembur apo jo ky institucion kulturor, koha, urgjenca dhe dhuna me të cilën u procedua nuk janë aspak të përshtatshme, teksa vendi është në emergjencën e COVID-19. Për më tepër, rendja drejt një kredie me garanci shtetërore për ndërtimin e tij, rrit barrën e borxheve për produkte jo të domosdoshme.

“The Economist” shkruante së fundmi se pandemia po përdoret si mjet për rrëmbimin e pushtetit. “Autokratët e shohin katastrofën si mundësi për shfrytëzim. Bota është e shpërqendruar dhe publiku ka nevojë për shpëtim. Kjo është ëndrra e një udhëheqësi diktatorial”, shkruante revista, duke iu referuar sjelljes së disa liderëve.

Një mundësi që nuk po ngurron të përdoret as nga drejtuesit shqiptarë, ku rritja e varfërisë dhe niveli i ulët i demokracisë vetëm sa i shtojnë më shumë mjetet për përqendrimin e pushtetit dhe arritjen e synimeve me një fokus të ngushtë përfituesish.

Comments are closed.