Ka përfunduar me humbje, testi i parë i Shqipërisë për vitin 2018, teksa në Norvegjia ka triumfuar 0-1 në miqësoren e luajtur në ‘Elbasan Arena’. Nën reshjet e vazhdueshme të shiut, skuadra e Panuccit nuk ka arritur për asnjë moment të dalë në lojën e vet, teksa mesfusha vuajti shumë presingun e kundërshtarit dhe nuk arriti të organizohej asnjëherë shpejt. Nga ana tjetër, Norvegjia nuk vodhi asgjë, pasi dominoi sfidën dhe kontrolloi lojën nga fillimi në fund, duke merituar fitoren e marrë në takimin e sotëm.
Në pjesën e parë, Norvegjia ishte shumë më e qartë dhe loja u zhvillua kryesisht në gjysmëfushën e Shqipërisë, ndërsa kuqezinjtë bënë shumë pak për të rrezikuar kundërshtarin. Aspak i kënaqur edhe trajneri Panucci, që vazhdimisht u tërhoqi vëmendjen futbollistëve, ndërkohë që po planifikon edhe ndryshime në pjesën e dytë. Ramadani dhe Qaka vuajnë shumë jo vetëm në organizimin e lojës, por edhe në fazën e presingut, ndërsa Sadiku mbetet shumë i izoluar në majë të sulmit. Pikërisht pejani Qaka dëmtohet në fundin e pjesës së parë dhe largohet për t’i bërë vend një tjetër debutuesi, Keidi Bares.
Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën tablo, teksa Panucci tenton të freskojë skuadrën, duke hedhur në fushë një tjetër debutues, Bujar Likën, por edhe Bekim Balën e Andi Lilën. Gjithsesi, në momentin më të mirë të kuqezinjve, është Norvegjia që gjen golin e avantazhit, nëpërmjet anës së saj më të fortë, goditjes standarde. Një krosim nga këndi, goditet nga Rosted, që e dërgon në rrjetën e Strakoshës.
Kuqezinjtë tentojnë të reagojnë, por disa gjuajtje nga distanca nuk e kërcënojnë aspak portierin e miqve, ndërsa Eros Grezda i vetëm, nuk mjafton për të nxjerrë përpara skuadrën e Panuccit. Minutat e mbetura nuk sjellin asgjë të re, teksa Norvegjia fiton 1-0 dhe kuqezinjtë e nisin vitin me humbje.