Shqipëria dhe Mali i Zi mblodhën të martën në Shkodër dy qeveritë përkatëse, shkruan sot Koha Ditore. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, por tha se shkëmbimet tregtare nuk janë në shifra të kënaqshme, pasi nuk reflektojnë afërsinë mes dy vendeve.
Ndërkohë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, tha se takimi i Shkodrës konfirmoi lidhjen historike midis Shqipërisë e Malit të Zi edhe për faktin se është edhe mbledhja e parë që Qeveria e Malit të Zi e organizon me një vend tjetër. Kjo sipas Markoviç konfirmon qartazi miqësinë mes dy vendeve dhe lidhjet e pazgjidhshme midis dy popujve dhe vendosmërinë që të vazhdojmë të zhvillojmë raportet e mira fqinje. Ndërkohë që fakti që kjo mbledhje po ndodh në Shkodër, sipas kryeministrit malazias ka shumë domethënie, histori e potencial që ndajnë dy vendet dhe është simbol i vërtetë i raporteve të Malit të Zi dhe të Shqipërisë.