Shqipëria dhe Kosova me marrëveshje për qendra të përbashkëta kulturore

Tiranë, 7 nëntor – Shqipëria dhe Kosova do të nënshkruajnë dy marrëveshje, gjatë mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive në Vlorë ditën e Flamurit Kombëtar.

Siç raporton ATSH-ja, marrëveshja e parë është në kuadër të fushës së bashkëpunimit midis dy ministrive; Marrëveshja e dytë ka të bëjë me qendrat e përbashkëta kulturore, të cilat kanë për qëllim eksportimin e kulturës dhe ruajtjen e forcimin e lidhjeve të diasporës me vendlindjen.

Ministri i Shtetit shqiptar për Diasporën, Pandeli Majko zhvilloi sot, një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Diasporës të Republikës së Kosovës, Dardan Gashi.

Takimi u fokusua mbi vendosjen e disa piketave në bashkëpunimin ndërmjet dy Ministrive të Diasporës në funksion të organizimit të diasporës dhe emigracionit shqiptar. Konkretisht, palët biseduan në lidhje me negocimin e dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme që do të firmosen në takimin e përbashkët të dy qeverive.

“Ne kemi një Migracion shumë të suksesshëm nga pikëpamja individuale, ndaj po përpiqemi të bëjmë një strategji në funksion të detyrimit që Shqipëria dhe Kosova kanë ndaj qytetarëve të tyre jashtë kufijve shtetëror”, tha Majko.

Ndërsa Gashi, duke folur për rëndësinë e qendrave kulturore theksoi se “ato do të kenë në fokus edhe arsimin, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare.”

Këto marrëveshjeve kanë si qëllim koordinimin dhe unifikimin e aktiviteteve të përbashkëta në Diasporë.