Shqipërisë i duhet rilindje e vërtetë, dhe rruga e rilindjes duhet të bazohet në thënien e Sami Frashërit, aktuale edhe sot: “Atdhetaria bëhet me punë dhe jo me fjalë, kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues”. Natyrisht, atdhetaria sot – si koncept modern
Nga Festim POLLOZHANI
Këtë titull mban vepra e Sami Frashërit, që ka përshkruar Shqipërinë dhe perspektivat e saj, në një kohë kur Shqipëria kishte nevojë të rilindë, siç ndoshta ka nevojë të rilindë edhe sot. Më kujtohet vizita e parë në Shqipëri, momenti i kalimit të kufirit që për aq kohë (gjenerata të tëra) kishte qenë i ndaluar, rruga për në Tiranë, me plotë bunkerë dhe gomerë, sipër gomerëve njerëz që kërkonin çamçakëzë, situatë të cilën një fëmijë vështirë se mund ta kuptojë dhe zbërthejë, aq më shumë ti kuptojë emocionet e më të rriturve që aq gjatë e kishin pritur këtë moment. Unë e dija vetëm se po shkonim në Shqipëri dhe se ishte diçka e mirë. Në fakt, i mbaj mend edhe disa parulla propagandistike, të shkruara nëpër mure dhe kudo, si në librin e Marquezit “Udhëtim në Evropën Lindore”që do ta lexoja vite më pas. Nuk e dija se Shqipëria për shumë vite kishte qenë një “bunker” i izoluar, i dhunshëm, i dhimbshëm. Në fakt i tillë ka qenë komunizmi gjithandej, një portë e hekurt, që vështirë hapej. Duke e ditur se fuqia e komunizmit në Evropë buronte nga Moska, dhe si i tilë ishte i dhunshëm edhe për shtetet sllave, logjika çon se për një shtet si Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, që nuk i lidh asgjë me strumbullarin sllav, ky regjim do ketë qenë shumë më i vështirë.
E vërteta është se fatet e popujve të vegjël kalojnë nëpër portat e fuqive të mëdha dhe shqiptarët këtë fat kanë pasur, edhe pse tendencat perëndimore për të depërtuar në Shqipëri nuk kanë qenë të pakta, çdoherë kanë dështuar për shkak të një regjimi tashmë të instaluar, me shërbim sekret të sofistikuar që ndoshta ka qenë i vetmi element shtetëror që ka funksionuar siç duhet.
Deri këtu mund të themi se ky ka qenë fati (i keq) i Shqipërisë, sepse nga rënia e komunizmit kanë kaluar tre dekada, një kohë e mjaftueshme për tu rikuperuar dhe për tu çliruar nga strukturat e një sistemi regresiv. Dhe po, gjërat kanë evoluar, afërsia me shtetet fqinje evropiane, sidomos me Italinë solli një frymë të re, evropiane, tendenca të reja, stil të ri jetese dhe shumë çka që u kishte munguar shqiptarëve. Por a mund të thuhet kjo edhe për jetën politike, a mund të thuhet se progresi në politikën e shtetit shqiptar është i mjaftueshëm?! A mund të thuhet se politika shqiptare është çliruar nga strukturat e vjetra komuniste, mendoj nga ideologjia, ose kjo ideologji është bartur në struktura të reja, që e duan pushtetin më shumë se shtetin?!
Është e kuptueshme se ndryshimi i sistemit kërkon një kohë tranzicioni dhe Shqipëria hasi në pengesë të madhe në vitin famëkeq 1997, ku shteti desh u ç’bë, pikërisht nga tendenca për ta dashur më shumë pushtetin se shtetin, një papërgjegjësi politike që vendosi në rrezik një shtet me demokraci aq të brishtë siç ishte Shqipëria. Problemi nuk është vetëm tek shteti shqiptar, por edhe tek ajo se sa mund të reflektojë një shtet kur është në pozitë të tillë në raport me popullsinë që ndodhet jashtë kufijve administrativë, dhe po, e kam fjalën për vështirësitë që kalonin shqiptarët e Maqedonisë në atë kohë, ngjarjet në Gostivar dhe Tetovë, pastaj edhe shqiptarët e Kosovës që ishin në prag të një gjenocidi dhe një lufte të cilën vështirë se mund ta përballonin pa ndihmën e shtetit amë. Janë gjëra që i takojnë së kaluarës, por pikërisht e kaluara duhet të bëhet shembull që historia të (mos) përsëritet.
Siç e dijmë mrekullia kishte ndodhur me rënien e komunizmit, dhe lidhjet diplomatike me shtetet perëndimore ishin krijuar, sidomos me SHBA por edhe me shtetet e Evropës, të cilat e shpëtuan Shqipërinë dhe shqiptarët nga një katrahurë e fundshekullit të kaluar. Çështja është se sa mësoi, ose deshi të mësojë klasa politike shqiptare nga kjo situatë?! Nuk mund të tërhiqet paralele mes asaj kohe dhe ditës së sotme që e gjen Shqipërinë shtet-anëtar të NATO-s dhe në proces të integrimit në UE. Por duhet mbajtur përgjegjësi për çdo hap që është kundër kësaj rruge, tendenca që cenojnë integrimet nuk duhen toleruar.
A po përballet sërish politika shqiptare me një klasë politike që e vendos pushtetin para shtetit?! Me një klasë politike që bën thirrje për protesta që nuk kursejnë as demolimin e institucioneve, që janë shteti vetë?! Është evidente se disa figura politike që më shumë kanë marrë sesa i kanë dhënë Shqipërisë janë zhurmuesit më të mëdhenj. Mund të jetë e vërtetë se Shqipëria ka nevojë për ndërrim të pushtetit, por ndërrimi i pushtetit në vendet demokratike bëhet me votën e lirë dhe jo me dhunë. Në fakt, më shumë se për ndryshim të pushtetit Shqipëria ka nevojë për ndryshim të mentalitetit të klasës politike, që deri diku është peng i trashëguar nga sistemi i kaluar.
Konica dikur ka thënë se “nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë”, dhe nëse kjo thënie gjen zbatim edhe sot, uroj të na ndihmojnë aleatët ndërkombëtarë, që Shqipëria të gjejë drejtësinë dhe të lirohet njëherë e mirë nga ata “shqiptarë” që e duan pushtetin më shumë se shtetin. Dhe po, është një popull i tërë që e dëshiron këtë. Ajo klasë politike, struktura të tilla, duhet të shkojnë njëherë e mirë në histori. Le të ndiqet shembulli i Izraelit që e paditi kryeministrin Netanyahu për korrupsion dhe mashtrime, ose më herët Kroacia që burgosi ish kryeministrin Sanader për ti hapur rrugë integrimeve euro-atlantike. Nuk është imazhi i duhur i Shqipërisë, politikani i veshur me veshje të shtrenjta dhe makina luksoze, por qytetari shqiptar i cili do të jetë i denjë me pasaportën e tij që përfaqëson një shtet të konsoliduar, që kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të vet. Për më tepër një shtet që me Kushtetutë përveç se zotohet dhe garanton kujdesin për qytetarët e saj, zotohet që të mbrojë edhe të drejtat kombëtare të popullit që jeton jashtë kufijve të saj. Shqipërisë i duhet rilindje e vërtetë, dhe rruga e rilindjes duhet të bazohet në thënien e Sami Frashërit, aktuale edhe sot: “Atdhetaria bëhet me punë dhe jo me fjalë, kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues”. Natyrisht, atdhetaria sot – si koncept modern. (koha.mk)