Në Shqipëri, seanca e sotme e parlamentit ka nisur me tensione të forta, ndërsa opozita bllokoi foltoren pas fjalës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili paralajmëroi se nuk mund të ketë një seancë normale pa u përjashtuar më parë kryeministri Edi Rama, “njeriu që përdori fjalorin më të ndyrë ndaj popullit të vet, e që fyu shqiptarët”, në seancën e kaluar, u shpreh zoti Basha. Opozita javën e shkuar bëri kërkesë zyrtare për përjashtimin e kryeministrit, por ajo u hodh poshtë nga Byroja e parlamentit.
Deputetët e opozitës pavarësisht ndërprerjeve të shpeshta të seancës nuk lëvizën nga foltorja, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit dhe duke kërkuar lirimin e 11 qytetarëve nga Kukësi, të mbajtur në arrest me burg për shkak të ngjarjeve të dhunshme të 10 ditëve më parë në Rrugën e Kombit, gjatë protestës kundër tarifës së parashikuar për kalimin në aksin rrugor që çon drejt Kosovës.
Disa deputetë të opozitës hodhën miell në drejtim të kryeministrit Rama, e më pas qëlluan dhe me shishe ujë. Ndërsa ai ka ruajtur qetësinë, ka reaguar duke hedhur ujë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi njoftoi përjashtimin e të paktën tre deputetëve të opozitës. Seanca u mbyll ndërsa çështjet në rendin e ditës u kaluan me shpejtësi dhe pa diskutime.