Tiranë, 25 janar – Pas vendimit të opozitës së bashkuar protesta masive antiqeveritare Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Shqipërisë, Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje qytetarëve që të mobilizohen për të rrëzuar së bashku më 16 shkurt qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Largimi i këtij njeriu është mision kombëtar, sepse çdo ditë e më shumë ky njeri jo vetëm grabit Shqipërinë, jo vetëm grabit të varfrit, jo vetëm shkatërron Shqipërinë, por ky njeri çdo ditë e më shumë po shkatërron familjen e tij, njerëzit e tij, rrethin e tij familjar, sepse nuk e kupton që ka hyrë në një rrugë pa kthim. Kur krimi të kap nga koka, nuk të lëshon më. Prandaj të iki Edi Rama që të shpëtojë Shqipëria dhe shqiptarët një orë e më përpara”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Tani, tha ajo më 16 shkurt të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh dhe ideologjie do të mblidhen për rrëzimin e kryeministrit Rama, pasi siç theksoi Kryetarja e LSI-së, largimi i kryeministrit që po shkatërron Shqipërinë nuk është një aksion politik, por është një mision kombëtar.
“Ne sot kemi një datë, që është data 16 Shkurt, data e fillimit të protestave të opozitës. Por për hir të së vërtetës protesta e shqiptarëve as nuk fillon dhe as nuk mbaron me 16 Shkurt. Protesta e shqiptarëve ka filluar me protestën e banorëve të Unazës së Re, të cilët zbërthyen dhe zbardhën skemën e mashtrimit dhe të vjedhjes sesi qeveria e Rilindjes vjedh shqiptarët . Kemi protestën e studentëve që shkon në ditën e 47-të apo 48-të të atyre studentëve, të cilët hapur dhe pa asnjë lloj organizimi, por përkundrazi u solidarizuan me njëri tjetrin kundër grabitjes, kundër zhvlerësimit dhe kundër indiferencës së kësaj qeverie, e cila ka qenë gjithmonë indiferente ndaj qytetarëve të saj”, ka thënë Kryemadhi.