Shqipëri, në zgjedhjet lokale do të ketë votim dhe numërim elektronik në 3 bashki

Në zgjedhjet lokale të 14 Majit do të ketë të paktën 3 njësi vendore ku votimi dhe numërimi do të bëhen elektronikisht.

Ndryshe nga procesi i kaluar zgjedhor, ku KQZ-së nuk iu dha shumë kohë për të përfshirë këtë detyrim të Kodit Zgjedhor, këtë vit qeveria ka miratuar fondin shtesë për institucionin që administron zgjedhjet që ky proces të shtrihet më tej.

Nëse në zgjedhjet e 25 Prillit 2021 u krye votim dhe numërim elektronik vetëm në njësinë 10 në kryeqytet, në zgjedhjet e ardhshme pritet që të votohet në këtë mënyrë në të paktën 3 bashki.

Advertisements

Qeveria ka miratuar një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2023 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për këtë qëllim.

Bashkitë ku do të kryhet votimi dhe numërimi elektronik do të vendosen nga KQZ, por ajo që dihet është se një prej tyre është Bashkia e Vorës ku u pilotua edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore, ndërsa dy të tjerat mendohet të jenë një bashki e madhe dhe një e vogël.

Vendimi i Qeverisë:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej:

a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:

a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;

b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.