Tiranë, 15 janar – Në pranverë, Shqipëria dhe Kosova do të kenë një kufi fluid sipas modelit Shengen, transmeton ATSH.
Këtë e konfirmoi sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë ceremonisë së hapjes së zyrës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Duke folur për integrimin kufitar sipas modelit Shengen, Rama theksoi se “jo më larg se dje, Ministria e Brendshme ka përfunduar të gjithë draftin teknik në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Kosovës dhe tani drafti do të shkojë në ministritë e tjera për të hyrë në një proces ligjor dhe që në pranverë ne të kemi në kufirin që ndan Tiranën me Prishtinën, një sistem krejt të ri, sistemin Shengen.
“Tani jemi vetëm në një fazë fillestare, kemi kaluar nga 2 kontrolle në 1 kontroll të unifikuar. Zyra e policisë në kufi është zyrë e përbashkët, por kjo do të zgjasë edhe për pak kohë si procedurë, sepse në pranverë do të kemi një procedurë krejt tjetër dhe një kufi fluid njëlloj si mes Italisë dhe Zvicrës apo Francës e Gjermanisë”, tha Rama.
Rama njoftoi se këtë sistem mendojnë që ta vendosin edhe me siç tha ai “Maqedoninë e Veriut” dhe Malin e Zi dhe njoftoi se tashmë kanë filluar kontaktet për këtë.
“I përsëris dhe ia përsëris që Shqipëria e Madhe është një sajesë e kundërshtarëve dhe armiqve të shqiptarëve. Nuk ka një Shqipëri të Madhe, por një komb shqiptar që ka të gjithë të drejtën e vetë ta shoh të ardhmen si pjesë e të njëjtit sistem organizimi dhe bashkëjetese””, tha Rama.
Rama, siç transmeton ATSH-ja, theksoi se “ne jemi gati ta bëjmë këtë diskutim dhe nuk kemi asgjë për të fshehur”.
“Ëndrra jonë është publike. Një ëndërr që një popull e sheh me sytë hapur, herët a vonë realizohet. Kjo është thjesht dhe vetëm për të pasur një kufi fluid, dhe qytetarët tanë të mos qëndrojnë më në radhë absurde, por të lëvizin si qytetarë të dy shteteve që i kanë kufijtë e lirë”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri veçoi edhe angazhimin për të njehsuar të gjitha procedurat e dokumentacionit tregtar, një tjetër element i rëndësishëm.
“Së shpejti, tregtarët në të dyja vendet nuk do të kenë më nevojë për për dy palët vërtetime kur kalojnë doganën, por vetëm për një vërtetim. Kjo do të jetë lehtësi dhe do të na ndihmojë për luftën kundër korrupsionit”, tha Rama.