Pas disfatës 3-0 nga Spanja, Kombëtarja e Shqipërisë sonte (e hënë) do të zhvillojë sfidën e fundit të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror vitin e ardhshëm në Rusi. Kundërshtari i kuqezinjve në “Loro Boriçi” do të jetë kampioni i katërfishtë botëror Italia.
Kjo sfidë ka marr tjetër ngjyrim, pasi italianëve nuk i nevoitet domosdoshmërisht fitorja, çka do të thotë që përballë kuqezinjve të Panuçit mund të jetë një kundërshtar më i relaksuar. Një rival i tillë në sfidën e fundit në grup është një avantazh, kjo jo sepse Shqipëria është në garë për ndonjë objektiv, por një ndeshje me Italinë është pritur prej një jete të tërë nga tifozët shqiptar, dhe vlen shumë në aspektin psikologjik por edhe për kënaqësi personale për të gjithë ata që në kampionatet botërore dhe evropiane bëjnë tifo për të kaltërit.
Gjithashtu mbetet një sfidë e veçantë edhe për ata futbollistë të kombëtares që luajnë në serinë A, për të treguar vlerat e tyre përpara se të rikthehen në Itali për të mbrojtur ngjyrat e skuadrave ku aktivizohen.
Sipas mediave nga Shqipëria seleksionuesi i kuqezinjve Kristian Panuçi po mendon të ndryshojë disi emrat në fushë për takimin e së sotëm me Armando Sadikun që mund të startojë nga minuta e parë në ndryshim nga ndeshja e Spanjës.
Derisa, përtej rreshtimit taktik, në ndeshjen e kësaj të hëne edhe seleksionuesi i Italisë Ventura do të ndryshojë disa lojtarë por duhet të bëjë shumë kujdes edhe me kartonët e verdhë pasi janë disa lojtarët që nëse ndëshkohen do të humbisnin plej-ofin, si Immobile, që do të jetë në sulm me Eder dhe Insinjen, në mesfushë Barella me Parolon, me këtë të fundit që gjithashtu skualifikohet në rast të një kartoni të verdhë ndërsa mbrojtja me katër, me Zapakostan, dhe Spizanollan nga krahët dhe Kielinin e Bonuçin në qendër.
Ndryshe, portieri i Italisë Buffon, kërkon të karikojë skuadrën në prag të takimi me kuqezinjve. “I kërkoj të rinjve më shumë impenjim në fushë, por na takon neve, që jemi më ekspertë për ta nxjerrë Italinë nga kjo situatë dhe për ta çuar kombëtaren në Botëror”, tha Buffon.
“Po të kishim fituar ndaj Maqedonisë do të kishte qenë më e lehtë për të gjithë. Nuk dhamë atë që pritej, madje bëmë një ndeshje të dobët. Ndaj kemi nevojë që në sfidën tjetër, atë ndaj Shqipërisë, të bëjmë një paraqitje pozitive. Të gjithë duhet të reagojmë në këtë sfidë dhe të tregojmë se kush jemi. Italia do të shkojë në Botëror”, deklaroi Buffon.
Në anën tjetër Armando Sadiku i cili ishte i pafat ndaj Spanjës shpreson që golat të vijnë ndaj Italisë. “Isha mirë, u futa në pjesën e dytë. Isha i pafat, mund të kisha shënuar dhe mund t’i jepnim më shumë ngjyra lojës. Shpresoj që golat të vijnë me Italinë”, tha Sadiku.
Shqipëri – Itali luhet sonte me fillim në ora 20.45.