Kjo e dielë ka sjell një rënie të numrit të të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Specialistja Gentiana Qirjako tha se janë konfirmuar pozitiv 15 persona, mes 225 të testuarve. Pjesa më e madhe e të prekurve i takon sërish Tiranës, ndërsa shtohen edhe dy personel shëndetësor tek të infektuarit. “Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 15 raste pozitive. Shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 11 raste në Tiranë, 3 në Krujë, dhe 1 rast në Kamëz. Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 11 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik. Në 24 orët e fundit janë testuar 35 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste.” Qysh prej fillimit të epidemisë, në Shqipëri janë konfirmuar 1.137 persona pozitiv me COVID-19. Nga këta 232 qytetarë vijojnë të jenë aktiv.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 148
Durrës 27
Krujë 17
Shkodër 10
Kamëz 10
Mat 8
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1