Sokol Çikalleshi uron që përfaqësuesja shqiptare të arrijë të sigurojë një rezultat pozitiv ndaj Turqisë, për të nisur me këmbën e mbarë rrugëtimin e saj në Euro 2020. Në një prononcim për “SuperSport”, sulmuesi i cili njeh mirë Turqinë pasi aktivizohet në kampionatin turk prej disa vitesh, ka treguar edhe për një telefonatë me një nga ish-shokët e skuadrës te Beshiktash, Emre, i cili është kthyer përsëri në ekip.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy kombëtaret. Unë jam në fazën e rikuperimit nga një dëmtim që kisha, pësova dëmtim në kofshe që më bëri të rri rreth një muaj jashtë. Fatkeqësisht ndodhi në moment delikat si për mua, Kombëtaren dhe ekipin e situatën që ndodhemi në klasifikim. Por jemi mësuar se futbolli ka të papritura dhe çdo gjë e presim me qetësi.
Meqë kam qenë pjesë e Bashakshehir dhe në listën e saj janë 4-5 lojtarë të kësaj skuadre, ka ndodhur edhe një kthim i bujshëm, ai i Emre. Pas një bisede që kisha me të, e urova për kthimin në kombëtare. I thashë që jam i lumtur për ty por i thashë që e ke kundër Shqipërisë dhe uroj të mos dilni me rezultat pozitiv atje. Mendoj që kjo ndeshje është ndër më të rëndësishmet në këtë grup, pasi Turqinë e kemi rivalin direkt dhe duke e nisur mbarë ndeshjen e parë, mendoj se është ogur i mirë për vazhdimësinë.
Më vjen mirë për Sadikun sepse pas dëmtimit të gjatë që kishte dhe për një futbollist dëmtimi është gjëja më e padëshiruar dhe që i pret krahët. Momentin që u rikthye me gol, edhe e urova dhe uroj që të jetë një kthim me vlerë dhe ta ndihmoj kombëtaren siç ka bërë këto vitet e fundit. Sigurisht do të doja të isha pjesë e listës por meqë isha i dëmtuar ishte e pamundur. Jam i sigurt që të gjithë ata që janë në listë do të bëjnë të pamundurën për rezultate pozitive dhe që me Turqinë të arrijmë rezultatin që duhet”, tha Çikalleshi.