SHPRESIM ZYLBEHARI: Mundohem gjithmonë të ruaj vlerat tona kombëtare

Është një prej vokaleve më të mira që ka skena shqiptare, ato që e kanë dëgjuar sigurisht që nuk janë zhgënjyer e ato që nuk e kanë dëgjuar mjafton një këngë të tij të dinë. Shpresim Zylbehari vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar mbi karrierën dhe planet në muzikë

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Muzika live zë vend gjithmonë në repertorin tuaj, e ndien privilegj apo obligim ndaj publikut?

Gjatë gjithë karrierës time muzikore, gjithmonë jam ndier komod kur kam kënduar live, privilegj për mua është sepse e kam mundësinë të performoj live, ndërsa mendoj që obligim i secilit këngëtarë është të performoj live para publikut.

KOHA: Cilat janë të rejat që je duke bërë gati për fundvit si befasi për fansat?

Të them të drejtën, i urrej xhirimet për festat e fundvitit, arsyeja është e thjeshtë. Fillimisht në ato xhirime për fat të keq ka mbingarkesë këngëtarësh dhe ka devijuar repertori nga fillimi deri në fund këngë dasmash, pas Vitit të ri kam disa plane bashkë me grupin tim muzikorë të cilat shpresojmë që të realizohen.

KOHA: Ti këndon edhe nëpër dasma e ahengje familjare?

Unë ndihem mirë në secilin ambient, mjafton të kem përballë publikun e duhur, atë publik që na nderon dhe na respekton për punën që bëjmë.

KOHA: Duke qenë se skena muzikore kohëve të fundit ka dalë nga kontrolli, ku e gjen veten ti?

Me të vërtetë skena muzikore është një lëmsh i vërtetë, definitivisht mund të jemi populli me më shumë këngëtarë për kokë banori, veten e gjejë diku në mes duke u munduar të ruaj vlerat kombëtare dua që askush kur të jetë me fëmijët të mos jetë i detyruar të ndërrojë programin e televizionit pasi aty ka dal një këngë me fjalë nga zhargoni më i ulët apo me skena banale.

KOHA: Këndon tallava?

Nëse kam përballë dy zgjedhje, të këndoj tallava ose të prish dasmën atëherë mund të këndoj, përndryshe e urrej atë zhanër që ka hy si kancer në muzikën tonë.

KOHA: Cili është repertori që e kultivon më së shumti?

Përvoja më ka bërë të kem një repertor të pasur me këngë, zakonisht nëpër mbrëmje performojmë këngë të vjetra shqipe, këndoj krejt shqip, dua që edhe fëmijët e mi të rriten me frymën e muzikës së bukur shqipe edhe pse sot është thuajse një mision e pamundur.

KOHA: Po si nis një ditë e jotja dhe si mbaron një 24 orësh?

Dita ditës nuk i ngjanë, pasi obligimet ndryshojnë, gjatë sezonit ka raste kur fëmijët nuk i shoh me ditë të tëra sepse në gjumë i lë në gjumë i gjejë, ditën e filloj duke pi kafen e mëngjesit në shtëpi, obligimi i parë është të dërgoj vajzën e madhe në shkollë të cilën e kam në klasën e parë, vjen kafja me shokët gjatë ditës, nëse gjejë kohë shkoj në palestër pastaj ushtrojmë me djemtë e grupit këngë të reja ose bëjmë muzikë për qejfin tonë dhe në fund të ditës kaloj kohën me familjen dhe dy vajzat e mia.

KOHA: Sa vite i ke bë në skenë dhe sa projekte numëron?

Kam 17 vite në skenë, më duken ndonjëherë shumë por ja që kur i numëroj aq më dalin, fillimin e kam pasur në dasma që në moshën 15 vjeçare, pastaj në vitin 2003 për herë të parë kam marrë pjesë në Nota Fest. Deri më tani kam tetë klipe, disa nga ato janë bashkëpunime me kolegë dhe një album live me grupin tim.

KOHA: Dhe kush është Shpresimi jashtë skenës, për gjithë ata që nuk e njohin?

Kjo është pyetja më e vështirë që ndoshta duhej të pyetet ndonjë shok i imi, jam tip impulsive, më pengojnë padrejtësitë, reagoj shpejt dhe e di që nga kjo veti kam humb ndonjëherë, mirëpo në jetë kam fituar respekt nga ato që më njohin, baba i përkushtuar e them me sigurinë më të madhe dhe tepër i përkushtuar e serioz në punë.