Në prag të mbylljes së fushatës, sipas informatave jozyrtare, diplomatë të huaj dhe pushteti po punon me kryetarin e VMRO-së, Hristijan Misckovski dhe shumicën e Kryesisë së partisë që në moment të fundit, të aktivizohen për të mbështetur referendumin, më saktë për të punuar në arritjen e sigurt të censusit prej 50 plus 1 votë për të qenë i suksesshëm votimi i 30 shtatorit
Fatos RUSHITI
Shkup, 25 shtator – Katër ditë nga mbyllja e fushatës për referendumin, partitë në pushtet dhe partitë shqiptare opozitare bëjnë fushatë intensive në terren më synimin q që të garantojnë suksesin e referendumit, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, VMRO opozitare, konkretisht kupola udhëheqëse e saj në krye me Hristijan Mickovskin, ende nuk e thonë qartë se do të dalin apo jo të votojnë në referendum. Ndërkaq një pjesë e deputetëve të tyre që lidhen më shumë me grupin e deputetëve të akuzuar për ngjarjet 29 prillit, si dhe president Ivanov, kanë shprehur hapur qëndrimin se do të bojkotojnë votimin e 30 shtatorit.
Megjithatë, në prag të mbylljes së fushatës, sipas informatave jozyrtare, nga diplomatë të huaj dhe nga pushteti punohet në prapaskenë me kryetarin e VMRO-së, Hristijan Misckovski dhe shumicën e Kryesisë që në moment të fundit të aktivizohen për të mbështetur referendumin, më saktë për të punuar për arritjen e sigurt të censusit prej 50 plus 1 votë për të qenë i suksesshëm.
Flitet po ashtu se VMRO, si rezultat edhe i presionit të faktorit ndërkombëtar, në forma jo deklarative dhe në mënyrë të heshtur do të aktivizojë strukturat partiak që të ndihmojë në daljen e anëtarësisë së saj në votim, pa mos u lodhur shumë me elementin radikal në këtë parti që dihet se janë kundër referendumit. Nga ana tjetër, mungesa e një plani B të VMRO-së kundrejt marrëveshjes për emrin me Greqinë, ka shterur argumentet tek kauza e kësaj partie kundër kësaj marrëveshjeje. Deputetë dhe funksionarë të VMRO-së që mbajnë qëndrime të ashpra kundër referendumit, lobojnë në parti se dështimi i referendumit mund të çojë vendin në Qeveri teknike, dhe më pas zgjedhje të parakohshme parlamentare që do ti fitojë, sipas tyre, VMRO dhe po kjo parti më pas të arrijë një marrëveshje të re me pushtetin në Greqi. Për këtë të fundit, grupi kundër referendumit në VMRO shpreson se nuk do të jetë Syriza, por në pushet në Greqi do të vijë Demokracia e Re me të cilën kanë bashkëpunim tradicional. Por se si do të shkojë puna më tutje, ka rëndësi dhe qëndrimi që do të mbajë ish-lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, por dhe me peshë është edhe qëndrimi i ish shefit të DSK-së, Sasho Mihajlkov, më të cilin më shumë janë të lidhur grupi kundër referendumit në VMRO.
Në rast së dështon mbështetja e VMRO-së, po llogaritet në aktivizimin maksimal të votës shqiptare, rome, turke, boshnjake dhe serbe. Por sa i përket operativës partiake, partitë shqiptare si ato në pushtet BDI, PDSH dhe grupi i Afrim Gashit i LB-së ashtu dhe partitë në opozita – Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, po llogaritet çelësi i suksesit për të arritur censusin prej 50 plus 1 për qind.
NENET KUSHTETUTËS DO TI SHKRUAJMË NE
Kur jemi tek qëndrimet kundër, presidenti Gjorge Ivanov foli haptas së fundmi se ai personalisht nuk do të merr pjesë në votim më 30 shtator ditën e mbajtjes së referendumit. Të menjëhershëm kanë qenë dhe reagimet e LSDM-së dhe nga ana e ministrit të Punëve të Jashtëm, Nikolla Dimitrov. Ky i fundit, të hënën gjatë një konference për shtyp foli enkas se çfarë do të ndryshohet në Kushtetutë nga ajo që shkruhet në Marrëveshje për emrin. Nikolla Dimitrov u kujdes ti sqarojë opinionit se formulimet në nenet e Kushtetutës që do të ndryshohen do të përpilohen në mënyrë të pavarur nga vetë klasa politike në vend. Dimitrov ka potencuar se amendamentet do të përfshijnë katër çështje: Përcaktuesin gjeografik, mosndryshimin e kufijve dhe përkufizimin e hapësirave territoriale, përkujdesje për komunitetet që jetojnë në Maqedoni, duke pasur kujdes për diasporën dhe narrativin historik që nis me Kryengritja e Ilindenit e deri te ASNOM-i.
“Për ne, Ilindeni nis me pavarësinë e shtetit tonë, kurse Bullgaria ka qasje tjetër të po të njëjtës ngjarje historike”, tha Dimitrov, duke theksuar se “do të riemërohen vendimet konkrete të ASNOM-it”.
“Formulime nuk ekzistojnë, as nuk janë negociuar, ata do të përpilohen nga ne”, tha Dimitrov. Ai ka sqaruar nenet që kanë të bëjnë me emrin e shtetit, me kombësinë dhe me gjuhën. Sa i takon amendamenteve, Dimitrov tha se ata nuk janë negociuar me Greqinë dhe se formulimi i tyre do të bëhet nga pala e Maqedonisë. “Në pjesën e amendamenteve kushtetuese, ata as nuk janë negociuar dhe as nuk jemi marrë vesh. Do të shqyrtohen me debat publik dhe do të miratohen me 2/3 e votave në Parlament”, tha Dimitrov.
Në lidhje me qëndrimin e presidentit Ivanov, Dimitrov tha se përgjigjja e tij se nuk do të votojë në referendum, nuk e ka befasuar asnjërin në vend. “Të thuhet se nuk votohet, është ikje e turpshme nga përgjegjësia dhe kjo nuk thuhet në Maqedoni, por përtej oqeanit”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Dimitrov në konferencën e djeshme për shtyp në Qeveri.
“Shpesh referohet se është këtu për ta mbrojtur Kushtetutën, megjithatë Kushtetuta nuk mund të mbrohet me shkelje. Ne nuk jemi sistem presidencial, ne jemi demokraci parlamentare. Presidenti nuk ka veto të rezolutës. Ligji për Marrëveshjen me Greqinë kur u votua për të dytën herë në Parlament, sipas Kushtetutës, e obligon presidentin ta nënshkruajë. Ne jemi shtet demokratik, ndërsa qytetarët e bëjnë përzgjedhjen se kush do t’ju shërbejë me votim. Gjëja me demokratike në çdo demokraci është referendumi. Të thuhet për këtë çështje për të cilën kemi humbur shumë gjenerata, 27 vite kontest i pazgjidhur, se nuk do të votojë, është ikje e turpshme nga përgjegjësia. Dhe kjo nuk thuhet këtu, por përtej oqeanit”, tha Dimitrov.
Në ndërkohë, në LSDM thonë se në javën kyçe për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve të saj, Gjorge Ivanov vendosi të mos e braktisë idenë e tij për izolim të Maqedonisë.
“Është e dukshme se Ivanov është mësuar t’u shkaktojë probleme qytetarëve të vet, madje edhe atyre të cilët e votuan. Personi i fundit nga regjimi kriminel i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, është kundërshtar i demokracisë, sepse e konteston veglën më të rëndësishme demokratike – votimin. E, pikërisht përmes votimit dhe zgjedhjeve, Ivanov u bë president. Qëndrimi i Ivanovit është ikje e turpshme nga përgjegjësia”, thuhet në kumtesën e LSDM-së për media. Sipas kësaj partie, për fat të mirë të qytetarëve, Ivanovi nuk është ai i cili vendos për të ardhmen. “Ivanov është person shumë pak i rëndësishëm, qytetarët dhe vullneti i tyre janë ata të cilët janë shumica e Maqedonisë, ata do ta sjellin vendimin. Maqedonia do të zgjedh të ardhmen, Ivanovi mbetet i vetëm, i robëruar në idenë personale për izolim”, thonë nga LSDM. Për fat të keq, siç cekin nga kjo parti, Ivanovi mbetet të jetë njeriu, i cili mbjell urrejtje dhe i cili i ndan qytetarët, president i cili shkon në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, president i cili zgjidhet përmes votimit, ndërsa sot ka problem me votimin.
VMRO: QEVERI SHPRONËSON POPULLIN MAQEDONAS
VMRO opozitare menjëherë ka reaguar ndaj LSDM-së. Nga kjo parti thonë se askush nuk ka të drejtë të luaj dhe si depozitë të vendosë emrin e shtetit. “Edhe sot do të përsëris se këto ndryshime dhe falsifikime të fakteve historike në Kushtetutë nuk do të përfundojnë këtu. Ata do të jenë themel të ndryshimit të gjithë asaj komisioni grek për revidim shumëvjeçar, fshirjes s librave shkollor, hartave, arkivave, ndryshim të kujtesës shtetërore por familjare dhe personale të tragjedive dhe luftën e Maqedonisë. Për këtë arsye dhe pyetej qytetarët të mund të sjellin vendim të drejtë se si do të veprojnë më 30 shtator. Qeveria duhet të jetë e sinqertë dhe t’iu tregojë qytetarëve se më 30 shtator nuk vendosin për Maqedoni evropiane por se nëse do të shpronësohet populli i Maqedonisë dh të krijohet një shtet i ri i cili do të quhet ‘Verior’”, tha të hënën gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski. Në qoftë se, shtoi ai, Zaevi nuk ka se çfarë të fsheh lë të dalë në TV në duel me kryetarin Hristijan Mickosvki dhe le ti hapë kartat. (koha.mk)