Në prononcimet që kanë patur përfaqësuesit të Odave rajonale ekonomike dhe zejtare, ata kanë vlerësuar se rihapja e kufirit do të stimulojë punën e tregtarëve në Dibër, por edhe të bizneseve në sferat e tjera të jetës
Vjollca SADIKU
Dibër, 26 maj – Popullata dibrane dhe biznesmenët dibran e kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë shqiptare për hapjen e kufijve më 1 qershor. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se në fillim të muajit qershor Tirana zyrtare do ti hap kufijtë me fqinjët. Dibranët ndërkohë besojnë se hapja e kufirit do të ndikojë pozitivisht në fitimin e rrjetit tregtar në Dibër, por do të mundësojë edhe frekuentim të dibranëve në anën tjetër të kufirit, ku deri tani nuk ka patur raste të koronavirusit.
Në prononcimet që kanë patur përfaqësuesit të Odave rajonale ekonomike dhe zejtare, ata kanë vlerësuar se rihapja e kufirit do të stimulojë punën e tregtarëve në Dibër, por edhe të bizneseve në sferat e tjera të jetës. Kryesuesit e të dy Odave thonë se afër 40 për qind e qarkullimit tregtar dhe marrjes së shërbimeve të ndryshme në Dibër bëhet nga shtetasit shqiptar nga vendbanimet rurale dhe urbane që janë në afërsi të kufirit siç janë Maqëllara, Peshkopia, Buqiza e tjerë. Këtë e pohojnë edhe vet pronarët e rrjetit tregtar si dhe të bizneseve tjera siç janë restorantet, kafeteritë, hotelet e tjerë. Por, duke komentuar vendimin e Qeverisë shqiptare, dibranët po ashtu presin që edhe Maqedonia e Veriut të hap kufijtë. Tani për tani nuk ka një datë konkrete nga Qeveria e Shkupit në lidhje me hapjen e kufijve me fqinjët, megjithëse ka paralajmërime se kjo do të ndodh në mes të qershorit.
Dibranët dhe biznesmenët theksojnë dhe shpresojnë se edhe 15 qershori do të ishte një datë e pranueshme për rihapjen e kufirit. Dibranët, edhe pse jetojnë në situatë të pandemisë, pritet që të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar, sidomos në pjesën jugore të tij ku edhe prezenca e pandemisë është minimale. Prandaj edhe vendimi i Qeverisë shqiptare për ti hap kufijtë me fqinjët më 1 qershor, për dibranët është i kushtëzuar me vendimin e Qeverisë të Shkupit. Shpresa ekziston, meqë tanimë Dibra dhe rrethina e saj mbi 40 ditë nuk kanë raste të reja të të sëmurëve me virusin Kovid-19. Frika nuk ekziston për të frekuentuar vendkalimet kufitare Bllatë dhe Xhepisht-Trebisht, meqë në Shqipërinë Lindore nuk ka raste me të infektuar nga koronavirusi. (koha.mk)