Vjollca SADIKU
Dibër, 6 shkurt – Birësimi është një formë për mbrojtjen e fëmijëve pa prindër dhe përkujdesje prindërore. Andaj, marrëdhëniet mes birësuesit dhe të birësuarve duhet të jenë marrëdhënie prind-fëmijë, shkruan gazeta KOHA. Birësimi ka në thelb humanizmin dhe ka dy lloje të birësimit, atë të plotë dhe jo të plot. Në birësimin e plot bien ato birësime që prindërit i marrin dhe krijojnë lidhje prindërore deri në fund të jetës, ndërsa me birësimit jo të plotë nënkuptohet kujdesi deri në moshën 18 vjeç. Në komunën tonë është prezent vetëm birësimi i plotë, që do të thotë kujdes deri në fund të jetës. Kështu thonë në Qendrën ndërkomunale për punë sociale në Dibër. Dekadën e kaluar në Dibër u shënua një rënie për adoptim të fëmijëve pa prindër nga çiftet bashkëshortore, të cilët nuk kanë pasur mundësi të kenë fëmijët e tyre biologjikë. Birësimet kanë qenë minimale, deri para dy-tre vitet e fundit. Por, gjatë vitit të kaluar u birësuan dy fëmijë nga çifte dibrane që nuk kanë fëmijë të tyre biologjik dhe katër të tjerë presin fëmijë për të birësuar, thonë po të njëjtat burime. Në Qendrën ndërkomunale për punë sociale, thonë se është në rritje numri i kërkesave për adoptim të fëmijëve. Vetëm gjatë vitit 2013 adaptim të fëmijëve kanë realizuar katër çifte, gjatë vitit 2014 tre, ndërsa gjatë vitit 2015 është birësuar vetëm një fëmijë.
Sipas punonjësit social, Ismail Mersimoski, edhe pse kërkesat për adoptim të fëmijëve pa prindër tani më realizohen në mënyrë elektronike, kushtet janë elementi kryesor për birësim të tyre. Andaj, ka disa çifte që këtë të drejtë e kanë realizuar më shpejt nga disa çiftet të tjerë, të cilët kanë kërkuar birësim me vite. Ismailoski për gazetën KOHA thotë se ne si ekip i kësaj Qendre, vizitojmë familjet që kanë marrë fëmijë dhe i mbikëqyrim se si ato trajtohen në ato familje. Por, duhet të theksoj, shton ai, se kujdesi e atyre prindërve, është mbi nivelin e kujdesit dhe gjer më sot s’kemi pasur problem me këta çifte që janë bërë në këtë formë prindër.
Gjatë këtij viti, në këtë Qendër thonë se janë katër çifte të cilët presin adoptim të fëmijëve. Ka nga çiftet në fjalë që me disa vite presim birësim, mirëpo akoma nuk e kanë realizuar dëshirën e kësaj kërkese, dhe janë në pritje gjer te realizimi i tyre. Para disa viteve, siç thotë punonjësi sociale, Ismail Mersimoski, ka pasur edhe birësime të formave tjera: vëllai i jep fëmijën vëllait dhe ky proces shkon më shpejt se sa birësime të tjera. Para disa vitesh janë regjistruar 6 birësime familjare, thotë ai. Po sipas të njëjtave burime, adoptimi i fëmijëve tash jo vetëm që bëhet në mënyrë elektronike, por ato tani realizohen edhe krejtësisht nga qytete të ndryshme, gjegjësisht jo nga qyteti ku jetojnë çiftet që kërkojnë birësime. Në bisedën që patëm me një çift që ka birësuar fëmijë, thonë se ata ua kanë sjell buzëqeshjen në familjet e tyre. Dhe në rrethin ku jetojnë janë pritur shumë mirë fëmijët e tyre të adoptuar dhe kujdesi është më shumë se sa duhet. Duhet theksuar se kërkesa më të shumta për birësime bëjnë çiftet të moshave nga 35 – 45 vjeç. Përndryshe kohëve të fundit disa çifte kanë përdorur edhe metodat të reja në aspekt të lindjeve në mënyra më bashkëkohore, por ka edhe të atillë që edhe me këto metoda nuk kanë sukses për lindje, kështu që presin dhe shpresojnë për birësime të fëmijëve pa prindër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.