Kreu i BFI-së, Shaqir ef. Fetai nënvizoi se tashmë kanë marrë premtime nga Qeveria se do të ketë një qasje më serioze në këtë drejtim. Krahas akreditimit, kërkesë e BFI-së është që shteti të financojë Medresetë
Urim HASIPI
Tetovë, 5 shkurt – Mosnjohja e diplomave nga institucionet publike dhe private të arsimit të lartë për nxënësit e shkollës së mesme Medreseja “Isa Beu” e cila ka edhe paralele të shtrira në Tetovë, vazhdon të jetë një sfidë edhe Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut. Këtë e ka pranuar edhe vet kreu i BFI-së Shaqir ef. Fetai. Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut ka 5 Medrese dhe janë një numër i nxënësve që nuk mund të vijojnë arsimin e lartë në vend. “Kjo ka qenë sfidë prej momentit kur është hapur vet medreseja, sepse është hapur si shkollë fetare islame. Në fillim nuk ka patur problem me regjistrimin, ka patur kushte por nxënësit janë regjistruar. Tash kemi pesë Medrese, tre të gjinisë femërore dhe dy të gjinisë mashkullore, pra kemi një numër të madh të nxënësve. Mirëpo, pesë viteve të fundit, me futjen në përdorim të provimit shtetëror, filluan problemet me regjistrimin e këtyre nxënësve në fakultetet e vendit. Tre vitet e fundit nuk është mundur asnjë nxënës që të regjistrohet në universitet”, thotë kreu i BFI-së Shaqir ef. Fetai.
Ai, nënvizon se tashmë kanë marrë premtime nga qeveria se do të ketë një qasje më serioze në këtë drejtim. Krahas akreditimit, kërkesë e BFI-së është që shteti të financojë këta Medrese. “Tani ne kemi edhe draftet se si do të vijojë procesi më tutje, kemi përkrahje serioze nga qeveria, që kjo punë të merr fund. Shpresojmë se shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i akreditimit të Medresesë. Kemi dy opsione, një përmes qeverisë kurse ne insistojmë që të sillet ligj i veçantë, që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe synimi kryesor mbetet akreditimi me qëllim që nxënësit tanë të mund të regjistrohen në universitete. Por, kërkesë e jonë e dytë është që shteti të financojë sepse është barrë e rëndë për ne si popullatën myslimane të mbajmë 5 medrese”, deklaroi kreu i BFI-së.
Ai është shprehur optimist se brenda disa muajve të këtij viti kjo problematikë do të merr fund. “Shpresojmë që brenda këtyre muajve do ta zgjidhim këtë problem. Jam shumë optimist, premtimet i kemi dhe mendoj se njëherë e përgjithmonë të tejkalohet sepse ne bazohemi në premtimet që na i kanë dhënë të gjithë faktorët”, tha ai. Këta nxënës vitin e kaluar mbajtën edhe protesta duke kërkuar akreditimin e medresesë dhe pranimin e diplomave nga ana e universiteteve në vend. Ato kërkojnë që medreseja të akreditohet që edhe ata të mund të studiojnë në Universitetet publike dhe private të vendit tonë dhe të trajtohen njëjtë ashtu siç trajtohen edhe nxënësit e tjerë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)