Përderisa në Greqi gjasat janë më të mëdha që Marrëveshja të kalojë në Parlament, në Maqedoni lënia e censusit prej 50 plus 1 për qind e të dalurve në votim, do të jetë me rrezik për referendum të suksesshëm. Krejt kjo nëse VMRO bën thirrje për bojkot të referendumit, ndërkaq nëse kjo parti merr pjesë me qëndrimin kundër Marrëveshjes për emrin, gjasat janë që referendumit të kalojë me sukses bazuar edhe në mbi 250 mijë vota të shqiptarëve, përfshirë edhe diasporën
Fatos RUSHITI
Shkup, 17 korrik – Organizimi i suksesshëm i referendumit në Maqedoni dhe ratifikimi i Marrëveshjes për emrin në Parlamentin grek, janë mundësitë e vetme që Maqedonisë t’i hapej dyert për qenë pjesë e NATO dhe BE-së. Përderisa në Greqi gjasat janë më të mëdha që Marrëveshja të kalojë në Parlament, në Maqedoni lënia e censusit prej 50 plus 1 e të dalurve në votim, do të jetë me rrezik. Krejt kjo nëse VMRO bën thirrje për bojkot të referendumit, ndërkaq nëse merr pjesë me qëndrimin kundër Marrëveshjes për emrin, gjasat janë që referendumi të kalojë me sukses, shkruan gazeta KOHA.
Pikërisht qëndrimi pro i partive politike shqiptare me rreth 250 mijë zgjedhës, do të jetë vendimtar për suksesin e referendumit dhe tjetra që bashkësia ndërkombëtare do të jetë aktive në përkrahje të referendumit. Sipas informatave jozyrtare, censusi do të mbetet ashtu siç është – 50 plus 1 për qind apo mbi 900 mijë votues duhet të dalin në zgjedhje dhe mbi 450 mijë duhet të votojnë pro që kalojë Marrëveshja për emrin.
Sipas të dhënave të fundit nga azhurnimi i Listës zgjedhore, në gusht të 2017-ës, me të drejtë votë janë diku rreth 1.800.000 zgjedhës. Deri te qëndrimi që ceszusi mos të ndryshohet partitë në pushtet kanë ardhur pasi shpresojnë se bashkësia ndërkombëtare të bind VMRO-në që të del në referendum, duke e llogaritur si të mbaruar votën pro referendumit nga shumica e qytetarëve të Maqedonisë.
Nga VMRO ende nuk kanë qëndrim përfundimtar nëse do të marrin pjesë në referendum. Ndërkaq partitë në pushtet vetëm se kanë filluar fushatën pro referendumit dhe duke mbajtur qëndrimin se referendumi patjetër të jetë i suksesshëm meqë është rruga e vetme për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ministrat e LSDM-së dhe BDI-së pothuajse në çdo dalje publike fjalë kryesore e kanë referendumin. Rreth përgatitjeve për referendumit të hënë n ka folur kryeministri Zaev.
PAS REFERENDUMIT, TË MUNDSHME ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Kryeministri Zoran Zaev pret që deri në fund të javës të rrumbullakohet procesi rreth datës, pyetjes dhe karakterit të referendumit për çështjen e emrit. “Këtë çështje presim që deri në fund të javës së bashku me liderët politik, përfaqësuesit e partive politike parlamentare, ti definojmë për arsye se afatet po tejkalohen, koha nuk pret nëse duam që të kapim datën 23 shtator dhe 7 tetor si data të projektuara. Pres që këtë javë ta rrumbullakojmë procesin edhe rreth datës së Referendumit, pyetjes dhe rreth karakterit të tij”, deklaroi kryeministri Zaev, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve gjatë vënies së gurthemelit të kompanisë amerikane “Duru” në Bunarxhik.
Siç tha ai, vazhdojnë bisedimet rreth Ligjit për financimin e partive politike dhe kompletimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), pjesën rreth Qeverisë teknike, procesin e Përzhinos dhe të tjera. Kryeministri vlerëson se meriton vëmendje kërkesa e partisë opozitare VMRO-DPMNE për zgjedhje të parakohshme parlamentare, para se të bisedohet për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, pasi siç theksoi Zaevi, këtë e garanton Referendumi i suksesshëm.
“Kur? Pas një viti? Por sidoqoftë është për t’u respektuar dhe për ti kushtuar vëmendje kur diçka kërkon opozita. Kam qenë në opozitë para një viti dhe e di vlerën për t’u ulur e për të biseduar, nëse këtë e garanton procesi i suksesshëm i Referendumit. Qytetarët do të tregojnë vet gjatë procesit, por nëse ka sukses procesi dhe arrihet censusi, ti motivojmë qytetarët të dalin dhe së bashku për një çështje kaq madhore dhe historike, atëherë të gjitha opsionet janë të hapura edhe ky për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Zaev.
AHMETI SHPRESON NË VOTAT E DIASPORËS SHQIPTARE
“S’po them 100 për qind, por deri në 90 për qind nga shqiptarët aktiv do të marrin pjesë në referendum. Jo vetëm që do të marrin pjesë, por edhe do të jenë propagandues për dalje në referendum”, ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë intervistës së tij për Klik Plus në TV 21. Ahmeti po ashtu ka theksuar se partia e tij ka kontaktuar shumë persona në diasporë për të marrë pjesë në referendum. “Kemi kontaktuar njerëz të ndryshëm në Evropë dhe SHBA, ashtu siç i kemi organizuar për zgjedhje kur ka qenë nevoja, p.sh në Kërçovë, dhe të njëjtat praktika do ti përdorime edhe në referendum. Ka njerëz të interesuar që të jenë pjesë e këtij procesi”, ka thënë Ahmeti.
Përkrahje për referendumin kanë ofruar edhe partitë shqiptare në opozitë – Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin. Ndërkaq për fushatë të përbashkët ende nuk kanë vendosur LSDM dhe BDI. Nga ASH dhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, siç pritet, nuk do të bëjnë fushatë aktive, por do t’u bëjnë apel anëtarësisë dhe simpatizantëve të tyre që të dalin në referendum.
Nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin ende nuk kanë vendosur si do të dalin në fushatë – do të jenë aktiv së bashkë me partnerët e koalicionit apo vetëm do të bëjnë apel deri tek përkrahësit e tyre që të dalin dhe të votojnë pro marrëveshjes për emrin. Se a do të jetë referendumi konsultativ apo obligativ siç e jep Ligji, po ashtu ende nuk ka qëndrim nga partitë politike. Por në të dyja rastet, siç ka paralajmëruar kohë më parë kryeministri Zoran Zaev, do të jetë i obligueshëm politikisht nga partitë në pushtet.
QEVERIA E GREKE E SIGURT PËR NUMRAT NË PARLAMENT
Në taborin grek, nga Qeveria janë të sigurt se Marrëveshja për emrin do të kalojë në Parlament. “Është e qartë se marrëveshja do të kalojë në Parlamentin grek, në të kundërtën nuk do ta kishim nënshkruar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë greke dhe ministër pa portofol, Dimitiris Xanakopulos, në një intervistë për radion greke Real Fm. Ai ka sqaruar se Qeveria greke dëshiron që në Parlament të ketë shumicë sa më të madhe.
“Për këtë marrëveshje shumë të rëndësishme, që në mënyrën më të mirë të mundshme mbyll një çështje 25 vjeçare, Kamenos dhe Grekët e Pavarur dorëzuan propozim lidhur me nevojën për një shumicë më të zgjeruar në Parlamentin grek, për 180 deputetë. Ky propozim është në tryezë. Qeveria greke i pret rezultatet në referendum dhe tentimin për revizion kushtetues dhe pasi të përfundojë kjo në mënyrë pozitive, do ta bëjmë atë që e parasheh marrëveshja, ta sjellim në Parlamentin grek, sepse për këtë janë për një shumicë sa më të madhe të mundshme parlamentare, e cila sipas mendimit tim, është e mundur të arrihet”, ka theksuar Xanakopulos për radion greke.
Se nuk do të ekzistojë absolutisht as një problem që marrëveshja për çështjen e emrit të marrë 151 vota deputetësh dhe të ratifikohet në parlamentin grek, ka siguruar edhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias. Ai në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Algemajne Cajtung ka theksuar se mbështetje do të ketë madje edhe nga grekët e pavarur.
“Marrëveshja me Maqedoninë e Veriut, në çfarëdo rasti do të kalojë në Parlament. Por dua të sqaroj se po përpiqemi kah shumica me mbi 150 vota dhe atë do ta fitojmë. Gjithsesi se nuk jam profet, njerëz mund të vdesin, mund të ketë tërmete, por nën kushte normale nuk do të ekzistojë absolutisht as një problem që ti fitojmë këto 151 vota. Numërova saktë. Është e saktë se grekët e pavarur nuk do të votojnë si parti, por ekzistojnë deputetë të kësaj partie të cilët vlerësojnë se marrëveshja është e mirë. Përveç kësaj ekziston edhe partia Reka, ku të gjithë deputetët nuk vlerësojnë se marrëveshja është e mirë, por në çfarëdo rasti – disa prej tyre do të votojnë pro”, sqaron më tej Kocias, duke shtuar se SIRIZA numëron 145 deputetë dhe nevojiten vetëm 6 vota shtesë që të ketë shumicë të kompletuar. (koha.mk)