Shqipëria U-21 është mundur 1-0 nga Spanja në “Selman Stërmasi” në ndeshjen e parafundit në grupin 2 të kualifikueseve të Europianit 2021. Skuadra e Alban Bushit u ndëshkua në fund nga iberikët të cilët mundën të shënonin falë Rafael Vicentes, duke pësuar humbjen e pestë (të katërtën rresht) në nëntë takime të luajtura deri më tani.
Me kualifikimin e siguruar prej dy ndeshjesh, Spanja luajti pa shumë stimuj dhe Shqipëria ishte shumë pranë marrjes së një rezultati pozitiv që do t’i shërbente për moral skuadrës. Miqtë nuk u impenjuan sa duhej dhe ndeshja u bë tepër monotone për periudha të gjata loje, pavarësisht se superioriteti teknik ishte i dukshëm.
Pas pushimit Shqipëria filloi të mendonte seriozisht se mund të merrte një pikë nga kjo ndeshje dhe u tërhoq edhe më shumë në mbrojtje, por me disa ndryshime që bëri trajneri De la Fuente, arriti të ringjallte skuadrën e tij, duke gjetur në fund golin e fitores. Ndeshja e radhës dhe e fundit në grup për Shqipërinë është më 16 tetor kundër Estonisë.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri Alban Bushi, tha: “Kemi luajtur mirë, sikurse kemi bërë në të gjitha ndeshjet, por goli ka munguar edhe për çështje eksperience. Na ka ndëshkuar edhe fati, pasi e pësuam në fund. Është e vështirë të sulmosh me Spanjën përballë, jo vetëm për ne”.
I rikthyer te U-21, pasi një ditë më parë qëndroi në stol ndërsa Kombëtarja e madhe barazoi pa gola me Jordaninë, sulmuesi i ri Giacommo Vrioni tha: “Kisha shumë emocione pasi kjo është kombëtarja e zemrës sime, shpresoj të vazhdoj kështu. Synoj të bëj sa më mirë këtu dhe pastaj të luaj për skuadrën e madhe”./EDS/