Jeta e saj është mbushur me aktivitete. Gjithmonë kërkon të reja në artin që përfaqëson. Për një publik që s’e njeh, Shpresa Drasati është regjisorja dhe producentja e shumë spektakleve të bukurisë në Shqipëri e Kosovë, si dhe një nga femrat më me stil. Me origjinë shkodrane, ajo vjen në një intervistë ndryshe për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon disa gjëra që nuk i keni ditur.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë është lumturia absolute për ju?
Lumturia për mua është familja ime, fëmijët e mi. Ajo çfarë marrë nga ata nuk krahasohet me asgjë në botë. Jam nënë dhe grua e bekuar, i jam mirënjohëse Zotit që gjithmonë është kujdesur për mua dhe njerëzit e mi.
KOHA: Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Për mua jeta është fushëbetejë ku duhet të luftosh fort që të arrish ku do. Asgjë nuk të dhurohet në këtë botë ndaj mëngjesi është sfidë që të zgjohesh të kapësh jetën dhe të realizosh ëndrrat për veten dhe njerëzit e zemrës.
KOHA: Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Qesh gjithmonë, nuk më mungon buzëqeshja, jam grua që di të marr nga jeta më të mirën dhe çdo situatë sa do e vështirë të jetë gjej mënyrën për ta bërë pozitive dhe në favorin tim. Çështje këndvështrimi, formimi, filozofi jete. Një shpirt i bukur, reflekton gjithmonë në buzëqeshje.
KOHA: Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Jam grua e fortë. Asgjë nuk mund të më bëj të ndihem “dështake” sado të kem situata të vështira di të ngrihem mbi çdo gjë. I marr gjërat me sportivitet dhe gjithmonë kam një zgjidhje si “As” nën mëngë.
KOHA: Defekti juaj kryesor?
Fal shumë! Fal dhe kur nuk duhet. Shumë njerëz kanë përfituar nga kjo. Por unë ndihem mirë me vetën, falja është pjesë e njerëzve të fortë, nuk hakmerrem dhe gjithmonë ia lë zotit të vendos drejtësi. (kjo është në mund të quhet defekt).
KOHA: Ndaj cilave gabime jeni më tolerant?
E thash dhe më lartë kam falur të pafalshmet dhe e kam bërë për qetësin time. Gabime nga të gjitha llojet, zhgënjime nga “miqtë” , pabesi të vogla e të mëdha, por unë jam Shpresa, unë jam unike dhe nuk pendohem aspak për gjithë mirësinë që kam dhuruar dhe pse kurrë nuk më janë kthyer mbrapsht.
KOHA: Hera e fundit që u përlotët?
Ditën e 8-Marsit, një mall i çmendur për nënën time dhe e shoqërova me një shkrim të gjatë në Facebook si dhuratë për nënën time, si falje për largësinë, si mall për duart dhe aromën e saj. Jam ndier debitore ndaj nënës pas largimit të babit, kjo mungesë mi përlot sytë shpesh herë.
KOHA: Me cilat personalitete historike identifikoheni më shumë?
Me “Shote Galicën” (qesh), më pëlqen kur më thonë i ngjaj, ke tipare burrnie, tipare force.
KOHA: Udhëtimi juaj i preferuar?
Kam një vend në Pukë që mua më pëlqen shumë, sa herë me jepet mundësia iki atje, është “Parajsa ime” ku rekuperoj veten, paqe pafund, bekim.
KOHA: Shkrimtarët tuaj më të dashur?
E dua fortë “Migjenin” si shkodran, është afër , krahasuar me realitetin e vendit tim. Fatkeqësisht mjerimi është ulur këmbëkryq në vendin tim dhe shqiptarët po vuajnë shumë. Poezia e tij vjen si hakërrim ndaj këtij realiteti.
KOHA: Cilin virtyt vlerësoni më shumë te një femër?
Besnikërinë, kjo vlen për të gjithë. Sinqeritetin dhe mirënjohjen. Kush i ka këto është njeriu më i pasur në botë.
KOHA: Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Janë shumë sidomos këto që bëjnë “diss” (qesh).
KOHA: Ngjyra juaj e preferuar?
I dua ngjyrat, i vesh të gjitha por si të preferuar kam të zezën, më klas dhe më shkon.
KOHA: Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Unë vijë nga bota e spektakleve, modës dhe së bukurës. Ndaj arritja ose ajo që më ka mbushur zemrën ka qenë vendosja në skenë me kurorën e bukurisë dy vajza me aftësi ndryshe. Jam ndier gruaja më fatlume në botë. Sa për hapat në botën e spektakleve të gjithë janë munduar të bëhen “Shpresa”, ndërsa unë vazhdoj të eci përpara krenare për vetën time.
KOHA: Pija juaj e preferuar?
Unë jam e thjeshtë nuk pi alkool por dua fort kafe-ujë. Kaq asgjë më shumë.
KOHA: Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
Që kam mbajt afër njerëz që nuk e kanë merituar pranin time, mirësinë time, shoqërinë time.
KOHA: Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Njerëzit false! Njerëzit mosmirënjohes, këta më bëjnë të dal nga vetja.
KOHA: Frika juaj më e madhe?
Nuk kam frikë, jam mësuar të sfidoj jetën dhe të fitoj betejat e mia. Thjeshtë tek fëmijët e mi, zemra e nënës është gjithmonë në merak, do më të mirën për ta.
KOHA: Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Nuk gënjej kurrë dhe s’dua të më gënjejnë. Jetoj me të vërtetën sado kosto të ketë ajo duhet ta themi gjithmonë.
KOHA: Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Jo! As nuk e mendoj të jap.
KOHA: Cila është motoja juaj?
“Jeto jetën si të vijë herë me diell herë me shi, por jetoje me dashuri”
KOHA: Si do të dëshironit të vdisnit?
Njerëzit e mirë nuk vdesin ata kalojnë nga një jetë në tjetër dhe mbetën dritë e dy botëve. Vdekja si nocion nuk më tremb sido që të vijë.
KOHA: Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
I dashtun Zot, të falënderoj për çdo gjë që më ke dhuruar. Të jam mirënjohëse që kurrë nuk më ke braktisur, gjithmonë i je përgjigjur lutjeve të mia!