Nga Violeta ALLMUÇA
Fatos Rushiti një poet befasues nga Kumanova e Maqedonisë është e sigurt se do ta arrijë zhanrin e poezisë. Është nisur drejt saj në një komunikim të drejtpërdrejtë me lirikën e dashurisë. Jo vetëm që është heroi lirik i vargjeve por edhe ngjyrimi emocional i poezisë erotike në hierarkinë e saj. Për këtë poeti nuk ka asnjë dyzim, se harmonizimi i vargjeve, realizimi poetik dhe shpirtërorja formësohen në poezi duke e pasuruar me vlera të reja. Në vëllimin e tij më të ri poetik „KURORË” ai na sjell përmes meditimit dhe thyerjeve shabllone erotike përfytyrime reale në stilin e të shkruarit autentik, duke përdorur figura stilistike, si metaforën, krahasimin, simbolin metoniminë, pra na dhuron poezi shpërthyese, të fuqishme me dashurinë e tij të jetës dhe qeniet lirike. Autori është fiksuar te hapësira shpirtërore romatike me botën e brendshme dhe të jashtme, për të prekur materializimin artistik dhe estetik me vibrimet e intimes dhe UNIT, duke zgjuar impulset dashurore të femrës. Ky trazim ndjenjash përshkruhet nga një gjuhë poetike, përtej semantikës dhe leksikut, me një strukturim të dallueshëm të vargëzimit ritmik cilësor, transparent, ku narracioni, forma, përmbajtja dhe mjetet shprehëse lirike kombinohen me poetizimin erotik. Liria, ndijimi i femrës si qenie dashurore dhe erotike përbën thelbin e vargjeve, frymëzimin e prekshëm të sensualitetit, ngjizjen e lidhjen fizike, duke kaluar nga gjendja poetike në lëndë poetike të pafiltruar, në të cilën mbizotëron një shpirt i lirë me dimension letrar e konceptim poetik. Bota poetike e krijuesit nëpërmjet vizionit poetik është e mbushur me vargje që ndjekin jetën e dashurisë një dilemë sa shprehimore aq edhe e arritur artistikisht me forcën shprehëse të gjuhës jetësore të së bukurës. Vetëdijesimi erotik dhe kujtesa e tërësisë njerëzore në secilën poezi e vesh fjalën deri në esencë të saj duke na sjellë ndriçimin, dritën, kodin dhe kohën e lirizmit të thellë nëpërmjet strukturës poetike. Kur poeti ecën në kohën e vet ai shpreh fuqishëm vargje nga thellësia e shpirtit. Në poezinë `MARIA` dashuria kjo këngë e përjetshme njerëzore mbetet etje e hershme e poetit. Mbi ato buzë të kuqe/ Nis gurgullimi i universit/ Maria i thonë erës/ Ajrit/ Derës/ E dilemës/ Si harruam të ngecim në dashuri/ Vetëm njëherë në jetë/ Sa ndriçimi i thellë i diellit mbi tokë/ U ngopa me ty/ Maria. Duke komunikuar me vargun nëpërmjet jetës shpirtërore ai zbulon të bukurën estetike dhe superioritetin artistik. Secili e sheh këtu se e jashtëzakonshmja e vargut, dashuria kthehet në një fryt artistik ku esenciale mbetet bota e njeriut. Kjo esencë me ëndje erotike vetëm e gjallon qenien njerëzore në diagonalen e jetës. Duke hyrë në rrymën magjike poeti i përngjan zjarrit që ndez dashuria. Vargjet shndërrohen në zjarr dhe në vetëtimë duke i dhënë shpirtit forcën e fjalës poetike. Tek poezia, `NJË FRYMË MBI KËRTHIZË` autori shkruan: Ti bëhesh mjegull/ Kur unë të thërras dritë/ Nata si qumësht femre/ Më pikon si hije/ Në muret e zemrës/ Dua ta shoh zemrën unë i marri/. Pra dashuria na bën të qenësishëm po aq sa na bën e e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Poeti e mat kohën me kohën e vet duke e përjetësuar dashurinë si një dimension shpirtëror, pra jetën e vërtetë të njeriut. Dashuria nuk e mohon kohën e e saj. Ajo i lëshon vend ekzistencës, pritjes, shpresës. Poeti shikon tisin e butë të qiellit, fijet jeshile të barit, zogjtë e ardhur në pranverë. Lexojmë poezinë `ALBA`: Ti mund të bëhesh ajër/ Mendim i virgjër/ Mbi ëndrrën e bardhë/ Jam shpirt/ Që shpirtëroj për ty, Alba/ Zog i trembur në fluturim. Shih si poeti ka hyrë në thellësinë e botës shpirtërore të lirikës duke jetësuar kohën e tij mbi vargjet ku mbjell dashurinë. Duke i mëshuar vetëdijes artistike në poezinë `SYTË MË TË BUKUR NË UNIVERS` poeti shkruan: Ti ke sytë më të bukur në univers/ Përtej botës aë bardhë/ Përtej ëndrrës së zezë/ Në fillimin e diellit/ Galaktikës pafund/ Para Evës/ Seç më mori pak malli për ty. Fatos Rushiti ka arritur një nivel artistik të ri dhe pjekurinë letrare-estetike në letërsinë shqiptare me librin e tij të radhës `KURORA` ku, stili dhe forma e re e shprehjes artistike gjuhësore vjen si esencë e mirëfilltë poetike. Përjetimi dhe vargjet e ndjeshme lirike brenda këtij teksti letrar e grishin lexuesin në tematikën dhe realitetin jetësor të njeriut. Si një qenie vetjake origjinale ai na sjell nëpërmjet figurave letrare një shpirt të hapur poetik për lexuesin, pa komplekse, me vizionin e një interpretimi lirik bashkëkohor ku ngjizet koha dhe bota e poezisë. (koha.mk)