“Shpigel”: BE-ja e theu premtimin, pasojat politike mund të jenë serioze

BE-ja fuqishëm u premtoi Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë se do t’i hapin ngociatat aderuese – dhe e theu këtë premtim. Politikanët e këtyre vendeve janë të turpëruar. Ajo që vjen tani nuk është mirë, shkruan gazeta gjermane “Shpigel” në edicionin e saj onlajn.

Zgjerimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor u konfirmua në Agjendën e Selanikut nga viti 2003, atëherë Unioni u premtoi integrim këtyre vendeve, por jozyrtarisht ky premtim kohën e fundit është nën pikëpyetje për shkak të lodhjes nga zgjerimi në BE, përkujton gazeta.

Megjithatë, tani BE-ja për herë të parë nuk e respekton fjalën e dhënë dhe për shkak të vetos së Francës, dy vendet Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk do t’i fillojnë negociatat, të cilat tani më u premtuan nga Unioni. Vendimi i Këshillit të BE-së nga e premtja shkaktoi zemërim nëpër tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pasojat politike nga refuzimi mund të jenë serioze dhe shumë liderë evropianë e vlerësuan këtë lëvizje si “gabim historik” thekson “Shpigel”.

Sipas gazetës, zemërim jashtëzakonisht të madh shkaktoi mos fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe kështu vendimi i Brukselit shkaktoi krizë politike në vend – lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev tha se kjo është “padrejtësi e madhe historike” dhe paralajmëroi zgjedhje të parakohshme për në prill të vitit të ardhshëm dhe dorëheqjen e tij në janar.

Në janar të këtij viti, Maqedonia e ndryshoi emrin në “Maqedonia e Veriut” pas pothuajse tre dekadave kontest me Greqinë. Jo vetëm që një rast i tillë është i pari në histori, por është edhe poshtërues për shumicën e maqedonasve. Megjithatë, Maqedonia e Veriut për momentin është vendi i vetëm në rajon i cili bën reforma serioze demokratike dhe reforma në qeverisjen e të drejtës. Vendi, pas Revolucionit të larmë në vitin 2016, është shembull pozitiv në rajon, vlerëson gazeta.

Shpigel komenton se nëse nacionalistët sërish vijnë në pushtet, pas zgjedhjeve të parakohshme në pranverë, rruga e vendit do të bëhet i paparashikueshëm. Një është e sigurt, ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili iku në Hungari në vitin 2018, nuk kishte skrupull gjatë qeverisjes së tij për ta çuar vendin edhe deri në luftë qytetare nëse është e nevojshme, vetëm për të qëndruar në pushtet, shkruan “Shpigel”.