Tiranë, 31 tetor – Anija shqiptare “Oriku” ka shpëtuar 100 shtetas sirianë mes të cilëve 39 fëmijë në dy operacione të ndryshme në detin Egje.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka.
“Njëqind shtetas sirianë mes të cilëve 39 fëmijë janë shpëtuar dje dhe sot në dy operacione të ndryshme nga anija shqiptare ‘Oriku’ në Detin Egje”, tha Xhaçka duke përkujtuar se janë mbi 800 jetë të njerëzve të shpëtuar nga anija shqiptare që nga nisja e misionit një vit më parë.
Ajo paralajmëroi se pjesëmarrja e Forcave detare shqiptare në operacionin e NATO-s në Egje do të zgjatet edhe 1 vit tjetër.
“Oriku do të zëvendësohet nga anija “Butrinti”, e cila po pajiset me sistem armatimi modern”, shkruan Xhaçka në faqen e saj në Facebook duke publikuar edhe një video të operacionit.