Qindra familje të Halepit në Siri, shpëtimin nga sulmet shkatërruese ajrore e kanë gjetur te shpellat në rrethinën e qendrës së dikurshme ekonomike të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA). Para fillimit të luftës në vitin 2011 në Halep kanë jetuar afërsisht tre milionë banorë, kryesisht arabë. Në dy javët e fundit, pjesa lindore e Halepit është shënjestër e sulmeve të ashpra të forcave besnike të presidentit Bashar al-Asad dhe milicisë shiite. Në bazë të informacioneve të gazetarëve të AA-së nga terreni, qindra familje shpëtimin e kanë gjetur te shpellat të cilat gjenden në zonat e kontrolluara nga opozita. Ditët dhe netët i kalojnë në shpellat e errëta, ndërkohë që problem shtesë paraqet edhe mungesa e ujit të pijshëm. Abdulhey është njëri nga të intervistuarit e AA-së i cili më herët ka qenë i plagosur në sulmet në Halep. Bashkë me familjen e tij dhe me dhjetëra familje të tjera, shpëtimin e ka gjetur te një shpellë atje ku presin fundin e sulmeve ajrore dhe tokësore në lindje të Halepit. “Pasi u plagosa fillova të humbas ndjenjën e sigurisë. Nga kjo arsye mora familjen dhe farefisin dhe erdhëm këtu. Është ftohtë. Disa familje kanë fëmijë të sëmurë. Shpellën mund ta ngrohim, por kemi mungesë të ushqimit”, tregon Abdulhey. Lufta në Siri ka filluar në vitin 2011. Një vit më vonë, nisën luftime të dhunshme në dhe rreth Halepit, ndërsa vetëm disa javë më parë pjesa lindore e tij është vënë nën kontrollin e opozitës. Pas Damaskut, Halepi është qyteti i dytë për nga madhësia në Siri. Qendra e qytetit është 40 kilometra nga kufiri turk. Për shkak të sulmeve të regjimit në dy javët e fundit, asnjë spital apo qendër mjekësore nuk ofron shërbime shëndetësore. Në qytet ka tre furra buke, ndërsa të gjitha shkollat në zonë janë mbyllur.