“Punohet me ritëm të përshpejtuar dhe vitin e ardhshëm mendojmë se gazifikimi do të arrijë në Tetovë dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ambientit. Sipas planifikimeve, fillimisht në rrjetin e gazifikimit do të përfshihen institucionet publike dhe shtetërore, siç janë komuna,çerdhet, shkollat fillore, ato të mesme dhe më pas do të fillojë të ndërtohet rrjeti shpërndarës në qytetin e Tetovës dhe në rrethinë”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 28 dhjetor – Gati gjashtë milionë denarë janë ndarë për përpilimin e projektit ideor për rrjetin e gazsjellësin sekondar distributiv në Komunën e Teovës. Ky vendim është marrë në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës, ndërsa pikërisht gazifikimi është përmendur si shpëtim nga ndotja e enorme në tërë territorin Maqedonisë, e në veçanti në Tetovë.
“Sipas informacioneve që kemi nga drejtori i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi, shpresojmë që shumë shpejtë edhe projekti për gazifikimin e qytetit të Tetovës do të arrijë në Tetovë. Punohet me ritëm të përshpejtuar dhe vitin e ardhshëm mendojmë se gazifikimi do të arrijë në Tetovë dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ambientit. Sipas planifikimeve, fillimisht në rrjetin e gazifikimit do të përfshihen institucionet publike dhe shtetërore, siç janë komuna,çerdhet, shkollat fillore, ato të mesme dhe më pas do të fillojë të ndërtohet rrjeti shpërndarës në qytetin e Tetovës dhe në rrethinë”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Sipas tij, Komuna e Tetovës do të themelojë edhe një ndërmarrje që do të menaxhojë me gazifikimin në qytetin e Tetovës. “Punët i kryen kompania që ka fituar tenderin nga Drejtoria për menaxhim me resurset energjetike, komuna në këtë rast do të duhet vetëm të ofrojë kuadrot e veta ku do të themelohet vetëm një ndërmarrje publike që do të jetë enkas për gazifikim. Çdo qytet do të ketë ndërmarrjen e vet për gazifikim dhe do të jetë një ndërmarrje qendrore që do të menaxhojë me të gjitha ndërmarrjet publike, pra ashtu siç e ka qyteti i Shkupit ngrohtoren që kujdeset për këtë çështje”, deklaroi Fazliu.
Nga Lëvizja “Eco Guerilla” theksojnë se gazifikimi është shumë i rëndësishëm për rajonin e Tetovës. “Sfidat që kemi në vazhdim si shoqëri janë gazifikimi e që është shumë i rëndësishëm për rajonin e Pollogut për shkak se pjesa më e madhe e amvisërive dhe institucioneve ngrohen me dru, ose me mazut, me qymyr ose me lëndë të tjera djegëse ndotëse. Tjetër është transporti publik që i mungon Tetovës e që zhvillohet përmes përdorimit të automjeteve personale të qytetarëve, ku numri më i madh janë pa asnjë standard”, deklaroi Arjanit Xhaferi nga “Eco Guerilla”. Megjithatë, ai shprehet skeptik se Komuna e Tetovës do të arrijë të përfundojë pjesën e saj për të rregulluar gazifikimin.
“Deri në këtë moment, nuk duket se ka vullnet as në Komunë për pjesën që i takon asaj për shkak se nga ana tjetër, Qeveria po punon në ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së rrjetit primar të shpërndarjes së gazit, me çka pritet që nga mesi i vitit 2019 gazi natyror të jetë në përdorim”, theksoi Xhaferi. Sipas njoftimeve zyrtare, me një investim prej 29 milionë euro, punohet me intensitet edhe në seksionin nga Tetova deri në Gostivar, me rreth 35 për qind realizim të punëve ndërtimore. Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit në gjithë Republikën e Maqedonisë ka filluar të zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar, janë tejkaluar po thuajse të gjitha problemet edhe me finalizimin e procesit të shpronësimit të tokave, ndërsa nga viti i ardhshëm punimet ndërtimore do të intensifikohen. Ministri Sugareski gjithashtu informoi se në mbledhjen e parafundit të Qeverisë, Ministria e Ekonomisë u obligua të formojë një grup pune, i cili do të vendos për modelin më efektiv për zhvillimin e sistemeve për shpërndarje të gazit natyror në Maqedoni.
“Është shumë me rëndësi që në këtë proces në mënyrë të përshpejtuar të punojnë edhe komunat që të mundet paralelisht të ndërtojmë rrjetet shpërndarëse komunale, me çka më shpejt do të sjellim gazin deri tek amvisëritë dhe ndërmarrjet”, u shpreh ai.