Ekspertët e turizmit presin që një mbështetje e tillë për turizmin vendor do të vazhdojë edhe në të ardhmen, por e zgjeruar dhe e begatuar për të qenë më joshëse për turistët vendor
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 maj – Një ndër sektorët më të goditur të ekonomisë nga korona virusi është sektori i turizmit. Anulimet e udhëtimeve, mos ardhja e turistëve të huaj, anulimi i seminareve, mbyllja e kapaciteteve turistike për më shumë se dy muaj, ishin vetëm disa nga pasojat e pandemisë që kanë sjellje humbje të mëdha në këtë biznes. Ky sektor që në mënyrë direkte punëson mbi 20 mijë punëtorë, ndërsa në mënyrë indirekte sjell të ardhura edhe për tre deri katër herë më shumë të punësuar këto muaj po shënon vetëm humbje. Në mesin e muajit mars, punëtorët turistik ndër kërkesat e shumta, parashtruan edhe kërkesën që të ndihmohet turizmi vendor duke mbështetur vizitat e qendrave vendore turistike, ndërsa u bë thirrje që sivjet – edhe konferencat, kongreset dhe të ngjashme të organizohen në vend.
Në ndërkohë, pritet që mbi 100 mijë qytetarë do të fitojnë vauçerë në vleftë prej 100 euro që do ti mund ti shfrytëzojnë në turizmin vendor si dhe 50 euro për konsum në kartelat pagesore. Këto janë një nga masat e pakos së tretë ekonomike që pritet të mbështesë turizmin vendor, me të cilin do të përfshihen qytetarët që kanë pagë më të vogël se 15 mijë denarë dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Vauçerët do të mund të shfrytëzohen në hotelet vendore dhe objektet e tjera akomoduese, ndërsa me kartelën pagesore do të nxitet blerja e prodhimeve dhe shërbimeve vendore. Ekspertët e turizmit presin që një mbështetje e tillë për turizmin vendor do të vazhdojë edhe në të ardhmen, por e zgjeruar dhe e begatuar për të qenë më joshëse për turistët vendor. “Dhënia e subvencioneve vitet e kaluara dhe vauçerëve tani është një masë e mirë dhe mbështetje për turizmin vendor me qëllim që verimi të jetë më i lirë për popullatën në vend. Mirëpo, nevojitet të mendohet edhe pushimet në grup në pikat turistike vendore, me qëllim që pushimi të mos nënkupton vetëm larje dhe rërë, por edhe përjetime të tjera dhe vizita në vende të tjera duke filluar nga agroturizmi , muzeumet etj”, thotë profesori universitar në Fakultetin për Turizëm në Ohër, Stojan Vellkovski.
Sipas tij, duhet marrë parasysh se krahas turizmit individual, ekziston edhe ai grupor që në kushtet tona mund të stimulohet edhe përmes dhënies mundësi që pushimi veror të paguhet me së paku gjashtë këste dhe të organizohet edhe përmes ndërmarrjeve private dhe shtetërore. Ai shton se ndihmat fillestare të shtetit më vonë do të kthehen për disa herë në arkën e shtetit. “Ndihma e ndryshme për turizmin vendor nënkuptojnë se në një denar subvencion të paguar, nesër në ekonominë vendore do të kthehen tre denarë për shkak se ato mundësojnë rritje të konsumit apo sjellin më shumë punë për më shumë sektorë të tjerë duke filluar nga konsumi i ushqimit, pijeve, transportit e kështu me radhë”, shton më tej Vellkovski. Nga ana tjetër, punëtorët turistik presin që vauçerët do të zbusin krizën e shkaktuar nga pandemia në turizmin vendor, duke marrë parasysh se viteve të kaluara, vetëm në Ohër dhe Strugë ka pasur më shumë se një milion pushues, mirëpo shtojnë më tej se ndihma nevojitet të plotësohet edhe me masa të tjera suportuese.
“Një masë ë tillë qeveritare paraqet një hap pozitiv dhe presim që përmes vauçerëve, të kemi së paku 500 mijë bujtje duke marrë parasysh se turistët vendorë do të flenë së paku pesë net. Njëherësh, kur kemi parasysh se do të kemi edhe vizitorë që nuk do të jenë shfrytëzues të këtyre vauçerëve, andaj me siguri se kjo shifër do të jetë më e madhe”, thotë Krste Bllazhevski nga Shoqata e Hotelierëve të Maqedonisë. Sipas tij, nevojitet që të mendohet edhe për masa të tjera për turizmin vendor si ulja e TVSH-së për restorantet nga 18 në 5 për qind, si dhe për masa të tjera për mbështetjen e turizmit vendor, si ndihma e vetëqeverisjes lokale që përmes planeve urbanistike të mundësohet ndërtimi i kapaciteteve hotelerike në pikat turistike në vend. Nga ana tjetër, Esnafi i turizmit thonë se për zhvillimin afatgjatë të turizmit vendor, si faktor i rëndësishëm në ekonominë e vendit, ekzistojnë më shumë çështje që duhet të zgjidhen, duke filluar nga ndërtimi i rrugëve, kategorizimi më serioz i objekteve për akomodim, përgatitja e regjistrit të kafeneve, restoranteve për vetë shërbim, restoranteve të qumështit, të ushqimit të shpejtë etj. Ndryshe, njohësit e kësaj fushe theksojnë se turizmi paraqet një degë të ndërlikuar ekonomike që kërkon investime të vazhdueshme në përmirësimin e ofertës turistike dhe infrastrukturës. (koha.mk)