Tetovë, 7 mars – Në atarin e fshatit Bogovinë të Tetovës, përgjatë rrugës për në fshatin Novosellë 2, të martën rreth orës 14 e 50 minuta, është përhapur zjarr, ku janë djegur rreth 2 hektarë hapësirë malore me drunj dushku. Me intervenim të zjarrfikësve të Tetovës, zjarri tërësisht është lokalizuar. Të martën rreth orës 14.00, është denoncuar zjarr përskaj rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë, në atarin e fshatit Vratnicë. Janë djegur rreth 250 deri 300 metra katrorë kullosë e thatë, shkruan gazeta KOHA.
Një zjarr i tillë, gjithashtu është denoncuar më datë 4 mars në ora 16 e 30 minuta, në atarin e fshatit Odër, ku zjarri ka përfshirë hapësirë prej rreth 500 metra katrorë. Të dyja zjarret pas një kohe të caktuar, janë shuar vetvetiu. Për shkak të shpeshtimit të zjarreve, nëpër pyje dhe fusha në rajonin më të gjerë të Pollogut, Sektori i punëve të brendshme Tetovë, përsëri apelon deri tek të gjithë individët të cilët punojnë ose lëvizin nëpër vende të hapura që të mos ndezin zjarre. Kjo, veçanërisht ka të bëjë me bujqit, të cilët në mënyrë intensive janë duke u përgatitur për të mbjellat pranverore, të cilët i pastrojnë dhe djegin mbetjet dhe kashtën nëpër fushat e tyre, kurse zjarri në mënyrë të pakontrolluar zgjerohet në mënyrë të shpejtë, gjegjësisht kur frynë erë. Këshillohen që të kenë kujdes maksimal, gjithashtu edhe ata të cilët punojnë në pyje, dhe alpinistët, për shkak se nevojitet vetëm një shkëndijë e vogël, që të ndizet bari i thatë apo hapësirat me vegjetacion.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë edhe një herë ju rikujton se shkaktimi i zjarreve në mënyrë të qëllimshme apo prej pakujdesisë së njeriut, paraqet vepër penale me të cilën janë paraparë dënime rigoroze ligjore, si dënime me para dhe me burg deri në 10 vjet, varësisht nga pasojat përfundimtare ekologjike ose pasojave tjera. (koha.mk)