“Të mos lihen ndezur aparatet e ndryshme që përdoren për ngrohje, sidomos nëse familjarët nuk janë në shtëpi. E theksojmë se mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që të shpërthejë zjarr me përmasa më të mëdha, i cili mund të shkaktojë dëme të mëdha material. Kjo më shumë vlen për qytetarët që jetojnë në banesa kolektive, ku edhe më vështirë lokalizohen zjarret”, thonë në policinë e Gostivarit
Urim HASIPI
Gostivar, 3 dhjetor – Janë shpeshtuar zjarret në rajonin më të gjerë të Gostivarit. Gjatë ditëve të kaluara janë regjistruar disa zjarre në objekte, dhe në hapësira tjera ku janë djegur pyje. Për fat të mirë, zjarrfikësit kanë kaluar pa asnjë lëndim, kurse zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha. Si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit shkaktarë për shpërthimin e zjarreve është faktori njeri, pohojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga ky sektor kërkojnë më shumë kujdes që të evitohen zjarre më përmasa më të mëdha.
“Të mos lihen ndezur aparatet e ndryshme që përdoren për ngrohje, sidomos nëse familjarët nuk janë në shtëpi. E theksojmë se mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që të shpërthejë zjarr me përmasa më të mëdha, i cili mund të shkaktojë dëme të mëdha material. Kjo më shumë vlen për qytetarët që jetojnë në banesa kolektive, ku edhe më vështirë lokalizohen zjarret. Në këto ndërtesa, zjarrfikësit nuk mund të arrijnë për shkaqe të ndryshme, qoftë për mungesë të mjeteve adekuate për shuarjen e zjarreve në ndërtesa të mëdha, prandaj në këta ndërtesa duhet më shumë kujdes të kenë qytetarët që mos shkaktohet zjarr”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marjan Josifovski.
Gjatë ditëve të kaluara, zjarre ishin regjistruar mbi fshatin Debresh dhe në pjesë tjera të Malit Sharr. Dyshohet se këto zjarre janë shkaktuar nga ana e njerëzve të pandërgjegjshëm. “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se shkaktimi i zjarrit të qëllimshëm paraqet vepër penale për të cilën vepër janë paraparë dënime me burg nga një deri në 5 vjet”, pohon Josifovski. Po ashtu, gjatë ditëve të kaluara, në qytetin e Gostivarit, njësia e zjarrfikësve të këtij qyteti ka intervenuar në shuarjen e zjarrit në një shtëpi dhe hapësirave ndihmëse në fshatin Vrbjan. Krahas këtyre zjarreve, po ashtu nga policia dhe njësia e zjarrfikësve kanë apeluar që, nëse qytetarët deri tani nuk i kanë pastruar oxhaqet, ta bëjnë të njëjtën gjë sa më shpejtë, sepse nëse nuk pastrohen në kohë – shumë shpejt mund të vijë deri tek ndezja e oxhaqeve të cilët më pas vështirë shuhen. Rastet e këtilla shpeshtohen më shumë gjatë kohës kur ka filluar tashmë edhe sezoni i ngrohjes pasi që shumë qytetarë ngurrojnë që të pastrojnë oxhaqet.
Në rajonin e Pollogut, viteve të fundit njësitë e zjarrfikësve të qyteteve Tetovë dhe Gostivar, shumë shpesh apelojnë tek banorët që para se të fillojë sezoni i ngrohjes, të bëhet pastrimi i oxhaqeve, kurse kjo duhet të bëhet dy herë brenda vitit. Krahas apeleve, gjithnjë janë shpërndarë edhe fletushka për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët se pastrimi i oxhaqeve bëhet që të shmanget zjarri, i cili më pas shkakton pasoja të mëdha si materiale, po jo rrallë herë ka patur edhe viktima në njerëz si pasojë e zjarrit. (koha.mk)