Sipas statistikave zyrtare, në muaj, në repartin e sëmundjeve infektive, maksimum ka nga dhjetë raste që kërkojnë ndihmë si pasojë e kafshimit nga qentë endacakë
Urim HASIPI
Tetovë, 23 janar – Vetëm gjatë muajit janar të këtij fillimviti, në rajonin më të gjerë të Tetovës janë regjistruar dhjetëra raste të kafshimit të fëmijëve nga qentë endacakë. Kjo dukuri nuk është diçka e re në rajonin e Tetovës ngase raste të këtilla janë regjistruar edhe gjatë viteve të kaluara. Kohëve të fundit, sipas raportimeve në kronikën e zezë të policisë së Tetovë, më shumë që pësojnë nga qentë endacakë janë fëmijë. Nga ana tjetër, policia e Tetovës ka rikujtuar institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete, efikase që të përballen me dukurinë e qenve endacakë në rajonin e Pollogut. Ndërkohë, jo vetëm rajoni i Tetovës, por edhe tërë Pollogu në përgjithësi njihet si vendstrehim për qentë endacakë, të cilët në numër të madh janë në rrugë dhe paraqesin rrezik permanent për qytetarët, sidomos për fëmijët.
Sipas statistikave zyrtare, në muaj, në repartin e sëmundjeve infektive, maksimum ka nga dhjetë raste që kërkojnë ndihmë si pasojë e kafshimit nga qentë endacakë. Këto shifra janë të zakonshme në qytetin e Tetovës gjatë dy dekadave të fundit. “Nuk ka rritje enorme të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë pas kafshimit nga qentë endacakë. Në këtë repart, ne pacientëve u japim vaksinën e Tetanosit dhe kundër tërbimit. Deri para disa viteve vaksinën kundër tërbimit nuk e kemi patur në klinikat tona, por kjo vaksinë ekskluzivitet ka qenë vetëm për Klinikat e Shkupit. Tash e kemi edhe këtu në Tetovë dhe kur ka nevojë ato i japim. Në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston sëmundja e tërbimit apo nuk ka deri tash ndonjë paraqitje të ndonjë sëmundje nga kafshimi. Gjatë viteve të kaluara kemi pasur rreth 100 raste të kafshimit të personave nga qentë e pastrehë. Po ashtu mund të themi se këto shifra janë përafërsisht të njëjta edhe viteve të fundit”, thonë nga Reparti i sëmundjeve infektive në Spitalin klinik të Tetovës.
Mjekët këshillojnë që në rast të kafshimit menjëherë duhet të kërkohet ndihmë mjekësore dhe mos neglizhohet një rast i tillë. Dukuria e këtillë me qentë endacakë nuk është diçka e re në Tetovë, pasi që gati se dhjetë vite me radhë, në më shumë rrugë dhe bulevarde kryesore janë hasur qenë të cilët lëvizin në tufa dhe shpeshherë sulmojnë edhe fëmijët e pambrojtur. Disa komuna si ajo e Tetovës, Gostivarit dhe Tearcës tashmë kanë angazhuar kompani për trajtimin e qenve endacakë por kapacitetet e tyre janë të vogla në krahasim me numrin e madh të qenve endacakë që hasen dhe vërehen nëpër rrugët e rajonit të Pollogut. Ende nuk ka asgjë konkrete për iniciativën që në Pollog të ketë një qendër për trajtimin e qenve endacakë. (koha.mk)