Tavani i një veture u shkatërrua pas një shpërthimi të madh që u shkaktua nga ndezja e një cigareje, shkruan iTV. Ngjarja ka ndodhur në Essex të Britanisë së Madhe, ndërsa Policia sqaroi se viktima në fjalë është transportuar në spital. Vetura e tij, siç shihet në fotografi, është dëmtuar rëndë si pasojë e shpërthimit. Shpërthimi, nga ajo që dihet, u shkaktua nga ndezja e avullit të një freskuese të ajrit, zjarr që u shkaktua pasi viktima ndezi një cigare. Zjarrfikësit kanë deklaruar se ky është rast shumë i rrallë i ndezjes së një zjarri nga një sprej të cilin e kishte lëshuar personi për ta freskuar ajrin në makinë, para se ta ndizte cigaren. Autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për kujdes, pasi që kanoçet që përmbajnë parfume, deodorantë e freskues ajri janë lehtë të ndezshme nga ndonjë burim nxehtësie.