Shpërthim gazi në një furrë në Paris, disa të lënduar

Parisi i frikësohej një tjetër demonstrate të fuqishme të “jelekverdhëve” këtë të shtunë, për të cilën ka dislokuar mbi 80 mijë oficerë policie në të gjithë Francën, në atë që konsiderohet si fundjava e nëntë radhazi e protestave antiqeveritare të “jelekverdhëve”.

Por, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qendrën e Parisit, si pasojë e një rrjedhjeje të dyshuar gazi në një furrë buke, duke shkaktuar disa të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Policia dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje, me këta të fundit që janë përpjekur menjëherë të shuajnë flakët, ndërkohë që grupi hetimor po merret me shkaqet e shpërthimit.

Ngjarja vjen në një kohë kur thuajse të gjitha bizneset në kryeqytetin francez kanë “blinduar” vitrinat e qelqta të tyre, për t’i shpëtuar protestuesve që në javët e kaluar kanë djegur e shkatërruar me dhjetëra automjete e dyqane.