Urim HASIPI
Tetovë, 14 mars – Me një manifestim solemn në Kalanë e fshatit Sellcë, është përkujtuar 16 vjetori i fillimit të luftës në Malësinë e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Manifestimi i së martës që u mbajt me moton Pranvera e Dinjitetit, i dedikohet 14 marsit të vitit 2001, kur në Kalanë e Tetovës dhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës filloi konflikti i armatosur në mes forcave policore dhe ushtarake të Maqedonisë dhe ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Si çdo vit, edhe këtë vit Hazbi Lika, ish komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, ka adresuar kritika ndaj bashkë-partiakëve të tij, të cilët, sipas tij, nuk kanë bërë aq sa duhet për të avancuar të drejtat e shqiptarëve dhe për të çuar në vend amanetin e dëshmorëve. Ai tha se disa të drejta janë realizuar, ndërsa disa të tjera kanë ngelur pa u realizuar si në vitin 2001.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se çka duhet të japim për të fituar një të drejtë kombëtare dhe sot janë përpara jush të gjithë ata djem që me vetëdije luftuan për një të ardhme më të mirë dhe ne, pas 16 vitesh, arrijmë t’i mbajmë të freskëta kujtimet për ata. Lufta filloi se shqiptarëve u mungonin shumë gjëra elementare të rëndësishme”, tha Lika. Ai më tej rikujtoi edhe një fjalë të Hoxhës së Prizrenit pas demobilizimit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. “Lufta përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe 16 vjet pas saj, një pjesë nuk gjen zbatimin e saj. Po e citoj një fjalë të Hoxhës së Prizrenit, i cili pas demobilizimit tha se njëherë do t`i japim mundësi paqes dhe nëse paqja nuk jep rezultate, atëherë do të na detyrojnë sërish t’i marrim pushkët. Nuk dua të them se duam të luftojmë, jo, sepse lufta përveç gjërave të mira sjell edhe gjëra jo të mira, sepse nuk I kemi në mesin tonë disa figura të freskëta e që na mungojnë shumë. Besoj se e keni kuptuar se nuk është vetëm lufta ajo që mundëson për arritjen e të drejtave kombëtare, sepse jeta nuk është vetëm luftë, jeta ka edhe dimensione të tjera të veta dhe mua më duket se këto dimensione në këto 16 vite ne nuk i kemi plotësuar ashtu siç duhet”, rikujtoi Hazbi Lika. Në fjalimin e tij tha se fajin për mosarritjen e të drejtave kombëtare duhet ta kërkojmë tek vetvetja. “Sot 16 vjet gjendemi para jush, mos them duarthatë, por mos të them edhe duar bosh, sepse kur diçka na mungon dhe nuk ecën siç duhet, atëherë ne gjithmonë fajin e kemi kërkuar te pala tjetër. Një fjalë thotë me palën tjetër e dimë se si e bëjmë, mirëpo kur vjen puna te ne, atëherë e kemi pak problem, duhet që fajin ndonjëherë ta kërkojmë edhe tek vetvetja. Nuk është mirë që sot të rinj dhe të reja të largohen nga vendi, për shkak të mos pasjes së perspektivës këtu, nuk duhet ta tolerojmë një gjë të tillë sepse një pjesë të gjërave i kemi në duart tona dhe ato që i kemi në duart tona t`i bëjmë mirë dhe pastaj fajin ta kërkojmë tek tjetri”, nënvizoi Hazbi Lika, ish komandant i Brigadës 112 Mujdin Aliu. Në këtë manifestim po ashtu kanë folur edhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe Invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Fazli Veliu. Në përvjetorin e 16 të fillimit të luftës së 2001, ka munguar edhe ish përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, aktualisht kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Në ndërkohë, për dallim prej tij, kanë qenë të pranishëm edhe disa nga ministrat aktual dhe kryetarët e komunave të Pollogut. Manifestimi i së martës është përcjellë edhe me një program të pasur kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës fillore Rilindja të fshatit Sellcë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.