Shpërthen e ëma dhe njëkohësisht meanxherja e Adrien Rabiot. Veronique Rabiot në një intervistë për mediat franceze ka sulmuar ashpër klubin e Paris Saint Germain dhe drejtuesit e kampionëve të Francës të cilët sipas saj po e trajtojnë më keq se një të burgosur djalin e saj. Rabiot vendosi të mos rinovojë kontratën që i skadon në fund të këtij sezoni me PSG dhe për këtë arsye është nxjerrë jashtë skuadre që në fillim të janarit, por situata tashmë ka degraduar akoma.
Klubi parizien ka vendosur të pezullojë lojtarin deri më 27 mars dhe deri në këtë datë mund të kemi edhe prishje përfundimtare me konsensus të kontratës aktuale. E pyetur mbi situatën e djalit të saj, e ëma e mesfushorit akuzoi ashpër drejtuesit e PSG për trajtimin që po i bëjnë Rabiot-it.
“Adrien është një i burgosur ose më saktë një njeri që po mbahet peng në këto momente. Së shpejti do t’i heqin edhe bukën, ujin dhe do e mbyllin në një burg nëntokësor. Ai i PSG është një ambient i tmerrshëm. Adrien ndihet shumë keq për të gjitha këto që po ndodhin. Ai aktualisht stërvitet por nuk dua t’iu them ku se si dhe me kë. Një lojtar i nivelit të Rabiot që nuk është i dëmtuar nuk mund të qëndrojë 13 ditë pa u stërvitur, vetëm sepse atij i ndalohet hyrja në qëndrën stërvitore të PSG. Në fund të intervistës së saj Veronique Rabiot shtoi se Paris Saint Germain dëshiron të ketë nën kontroll edhe jetën private të lojtarit duke shtuar. “Ata duan që Adrien të veshë pizhamat që në orën 21:00 të shikojë ndeshjet e PSG dhe të shtrihet në shtrat në orën 23:00, kjo është diçka anormale”.