Shkup, 8 nëntor – Prej vitit 2012 deri në vitin 2016, 115.000 persona kanë ikur nga Maqedonia e Veriut, thuhet në raportin ndërkombëtar për migrim të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik. Numri më i madh i banorëve janë larguar në vitin 2015, madje 32,039, ndërsa më së paku janë larguar në vitin 2012, edhe atë 17.886 banorë, transmeton gazeta Koha.
Mbi 60 për qind e tyre janë larguar në Gjermani, ndërsa një përqindje e vogël e tyre në Zvicër, Austri, SHBA, Slloveni, Suedi ose në vende të tjera. Maqedonia e Veriut ka investuar rreth 502 milion euro në arsim gjatë vitit 2018. Arsimi i personave që largohen nga vendi në vit na kushton prej 116 deri në 433 milion euro. BPV vjetor nga shpërngulja është në humbje prej rreth 333 milion euro. Nga diaspora në Maqedoni vijnë rreth 200 milion euro në vit. Nëse kësaj shume i shtohen pensionet e huaja dhe pagesat e banorëve të Maqedonisë, shifra ngrihet në mbi 700 milion euro. Rreth 67 për qind e këtyre parave shpenzohen, 10 për qind kursehen, me 16 për qind blihen patundshmëri, ndërsa vetëm 1 për qind shkojnë për investime. (koha.mk)