Vlerësohet se shteti duhet të lehtësojë punësimin e të huajve dhe të rrisë edhe më tej pagat, ndërsa më tej mbetet të shikohet se sa Maqedonia e Veriut do të jetë tërheqëse për punësimin e të huajve. Ekspertët kërkojnë një strategji të ngjashme si ajo në Bullgari me importin e fuqisë punëtore nga India dhe Kina
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 shtator – Një nga zgjidhjet që shqyrtohet për mungesën e fuqisë punëtorë si rrjedhojë e ikjes së punëtorëve në “kurbet”, është edhe importi i saj nga jashtë. Njëherazi tregu i punës në Maqedoninë e Veriut tregon edhe hendekun midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës ku sipas statistikave, në vitet e fundit – në vazhdimësi shënohet përqindje e lartë të papunëve që e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Këtë e tregon edhe përqindja gati e njëjtë me afër 50 për qind e vitit 2012 e personave të papunë pa shkollë të mesme në raport me vitin 2018, shkruan gazeta KOHA.
Zgjidhjet që propozohen për zbutjen e këtij problemi janë rikualifikimi i fuqisë punëtore, masat e ndryshme stimuluese, apo edhe importi i fuqisë punëtore nga jashtë për nevojat e kompanive vendore dhe të huaja në shtet. Kryetarja e Odës Ekonomike në Prilep, Irena Jakimovska, thotë se nevojitet që të thjeshtësohen edhe më tej procedurat e ndryshme duhet të lehtësohet punësimi i të huajve në shtet.
“Nuk mund ta ndalim apo pengojmë procesin e migrimit, por megjithatë duhet të gjejmë mënyrë në aspekt rajonal dhe nacional si të amortizojmë efektet negative të ikjes së fuqisë punëtore jashtë shtetit. Në këtë drejtim nevojitet të realizojmë një Strategji kombëtare që shteti të hapë mundësinë e importit të fuqisë punëtore. Diçka të ngjashme e realizoi Bullgaria me importin e fuqisë punëtore nga India dhe Kina, ndërkaq edhe ne duhet të ndjekim një hap të tillë”, thotë Jakimovska.
Ajo shton më tej se në një shtet si Maqedonia me një milion e gjysmë banorë, ikja jashtë e 200 mijë personave mund të shkaktojë një tronditje të madhe në më shumë fusha – jo vetëm në aspektin e mungesës së fuqisë punëtore. Një nga pasojat më të mëdha të kësaj dukurie është ulja e të ardhurave nga Tatimi i Vlerës së Shtuar si rrjedhojë e uljes së konsumit që me gati 40 për qind mbush arkën e shtetit, shton Jakimovska. Nga ana tjetër, vlerësohet se shteti duhet të lehtësojë punësimin e të huajve dhe të rrisë edhe më tej pagat, ndërsa më tej mbetet të shikohet se sa Maqedonia e Veriut do të jetë tërheqëse për punësimin e të huajve.
“Kontraktimi i një marrëdhënie punë paraqet një proces me vullnet të lirë dhe askush nuk mund të importojë apo të punësojë nëse mungon një pajtueshmëri e ndërsjellë. Andaj, ne duhet edhe më tej të lehtësojmë punësimin e të huajve dhe fitimin e një leje pune. Në të ardhmen mbetet të shohim sa do të kemi prurje të fuqisë së re punëtore e cila do të jetë e motivuar të vijë nga jashtë të punojë tek ne”, thotë Angel Dimitrov, kryetar I Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë.
PAGAT MESATARE NË RAJON, KATËR HERË MË TË VOGLA SE EVROPA
Pagat e ulëta të shteteve të rajonit që në mesatare janë 400 deri 500 euro, në mesatare janë për së paku katër herë më të ulëta në raport me shtetet më të pasura evropiane. Në Luksemburg, paga neto mesatar është 3159 euro, në Gjermani është 2270 euro, në Itali është 1758 euro, në Austri është 2324 euro, në Francë është 2225 euro, në Danimarkë është 3270 euro dhe në Britani të madhe është 1.990 euro. Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatar është afër 410 euro. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Kosovës, paga mesatare neto në Kosovë në sektorin publik ishte 474 euro, ndërsa në sektorin privat ishte 348 euro. Në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare, paga mesatare mujore arriti në 50,392 lekë apo afër 408 euro në prill-qershor 2018 nga 49,150 lekë që ishte në të njëjtin tremujor të 2017. Paga mesatare në Kroaci është 6206 kuna apo afër 840 euro, në Greqi është 917 euro, ndërsa në Slloveni është 1062 euro. Nga shtetet e tjera fqinje, Bullgaria ka pagë mesatare prej 550 euro, Rumunia prej 583 euro, ndërsa Hungaria prej 635 euro. Sipas Agjencisë për Statistikave, paga mesatare mujore neto në Bosnje e Hercegovinë, në gusht të viti 2018 ishte 446 euro, ndërsa sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në tetor të vitit 2018 arriti në 49.910 dinarë apo 421 euro. Pas Serbisë pason Mali i Zi, ku paga mesatare është 510 euro. (koha.mk)