Dhoma e Reformës Agrare në Shkup filloi një fushatë të gjerë të konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’u lejohej vetëm 0.4 hektar tokë për një anëtar të familjes”. Qëllimi kësaj politike antishqiptare, siç njoftohemi nga burimet e shumta të proveniencës policore e ushtarake jugosllave, ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos i fshatrave që shtriheshin buzë Malit Sharr e deri në hapësirën Kumanovë – Prishtinë, ku kompaktësia shqiptare ishte tepër e madhe
Nga Qerim LITA
Procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare myslimane nga trevat veri-lindore, përkatësisht Maqedonisë Veriore së sotme, filloi me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, rënien e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, përkatësisht asaj serbo-malazezo-bullgaro-greke. Dokumentet e zbuluara kohëve të fundit hedhin dritë se brenda vitit 1912/13, ushtritë pushtuese të lartpërmendura, sidomos ajo serbe, dëbuan me dhunë mbi 120.000 shqiptarë të përkatësisë fetare islame, pjesa dërmuese e tyre u vendosën në Stamboll me rrethinë. Kjo masë e madhe shqiptare, jetonte në kushte të mjerueshme, sepse tërë pasuria e tyre e tundshme dhe e patundshme u ishte konfiskuar nga ana e pushtuesve sllavo-ortodoksë. Ndonëse ata dikur kishin qenë qytetar dhe shtetas të Perandorisë Osmane, me krijimin e Republikës moderne të Turqisë (1923), pjesës dërmuese të tyre u mohohej shtetësia turke, me çka atyre u vështirësuan edhe më shumë kushtet e jetesës. Në këto rrethana, shumë prej tyre dëshironin të ktheheshin në vendlindjet e tyre, ku i kishin lënë shtëpitë dhe pronat e tyre, mirëpo këtë nuk ua mundësonin autoritetet pushtuese të Beogradit, të cilat u rekomandonin të akredituarve të tyre pranë konsullatës së Stambollit, që gjatë dhënies së vizave hyrëse, të kenë kujdes që “në mesin e tyre mund të ketë edhe të tillë të cilët dëshirojnë të futen në territorin tonë me qëllim që të ngelin te ne”. “Që ky spekulim i myslimanëve të anashkalohet – thuhej në dokument – Ministria për Punë të Jashtme ka nderin të lutet që myslimanët e shpërngulur të cilët kërkojnë vizë hyrëse më shumë herë brenda vitit /2-3 herë/, të mos u jepet pëlqimi për hyrje, për arsye se vetëm në atë mënyrë mund të pengohet spekulimi i tyre dhe të pamundësohet shpresa e tyre për t’u kthyer…”.
Që shpërngulja e popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi apo edhe për në Shqipëri, të kryhej sa më parë që ishte e mundur, qeveria Serbo-Kroate-Sllovene (SKS-së), komunitetin mysliman e ndau në dy organizata fetare: Bashkësia Fetare Islame e Bosnjës e Hercegovinës, e cila pati një autonomi të plotë që buronte nga Kushtetuta e sjell që nga koha e Perandorisë së Austro-Hungarisë. Qendra e saj ishte Sarajevë, ndërsa me të udhëhiqte Reis-ul-Ulemaja; dhe Myftinia Supreme, në kuadër të së cilës përfshihej komuniteti mysliman i Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Sanxhakut. Qendra e saj ishte Beogradi, ndërsa me të udhëhiqte kryemiftiu, i cili njihej si myftiu suprem. Për dallim nga BFI-ja e Bonjës e Hercegovinës, Myftinia Supreme ishte nën varësi të plotë të Qeverisë së SKS-së, përkatësisht të Ministrisë për Fe. Veprimtaria e saj mbështetej mbi një Rregullore të miratuar gjatë vitit 1919, e cila në vitin 1920 kaloi në Ligj. Sipas dispozitave të asaj rregulloreje, i tërë pushteti ishte koncentruar te kryemyftiu dhe myftitë e qarqeve e të rretheve të cilët emëroheshin nga ana e ministrit për Fe. Në krye të këtyre institucioneve u emëruan njerëz më të besuar të pushtetit, siç ishin Hasan Rebac, Mehmet Zeki, Talat Selim etj. Se vërtetë tërë hierarkia udhëheqëse e saj ishte nën mbikëqyrje të plotë të pushtetit, dëshmon shkresa e Hasan Rebacit, dërguar më 23 mars 1920 kryemiftiut, Mehmet Zeki, përmbajtja e së cilës ishte me sa vijon:
“Jam informuar se myftiu i Qarkut të Ohrit, z. Hajredin Ahmeti dhe myftiu i rrethit të Dibrës, z. Hysni Aliu koketojnë me shqiptarët dhe punojnë kundër shtetit tonë. Ata janë njerëz shumë të rrezikshëm, prandaj në interes të shtetit duhet sa më parë të ndërrohen nga ato pozita… Në informatën e njëjtë përmendet edhe një farë Hafiz Sherifi (Sherif Langu) si ndihmës myftiu gjithashtu si një figurë e rrezikshme për shtetin tonë”.
Në kuadër të fushatës së luftës kundër krerëve fetarë me vetëdije të qartë nacionale, duhet përmendur edhe shkresën e 27 marsit të atij viti të Hasan Rebacit, përmes së cilës e urdhëronte kryemiftiun, Mehmet Zeki, që të ndërmerr masa kundër disa hoxhallarëve në Kosovë e Maqedoni, për shkak se nga njoftimet që i kishin arritur nga ana e Ministrisë së Luftës, në ato krahina “në mesin e muhamedanëve po vërehet një farë lëvizje me qëllim të autonomisë politike e fetare”, dhe se në to “po marrin pjesë edhe hoxhallarët, duke mbajt fjalime të fshehta nëpër xhami…”.
Ndërkohë, forcat ushtarako-policore serbe, e filluan një fushatë të gjerë e tejet brutal, gjoja për kapjen e të arratisurve, përkatësisht të anëtarëve të Lëvizjes Kaçake, të cilët përbënin krahun ushtarak të Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës. Rrjedhimisht, në pjesën e parë të vitit 1923, numër i madh i popullsisë shqiptare myslimane qe detyruar t’i lëshoj vatrat e tyre. Legata jugosllave në Sofje, më 3 qershor përmes depeshes njoftonte MPJ-në, për një vërshim të ri të popullsisë shqiptare myslimane nga Kosova dhe Maqedonia e sotme Veriore për në Turqi:
“…Në kohë të fundit myslimanët nga territori ynë po emigrojnë në Turqi. Një numër i caktuar të personave të tillë ngelin në territorin bullgar, për arsye se pushtetarët turk në pikën kufitare i pengojnë të hynë brenda. Ata të shpërngulurit nga Serbia e Jugut (mendohet për Kosovën dhe Maqedoninë – Q.L.), tash nga Legata jonë në Sofje kërkojnë t’u lejoj kthyerjen në vendin tonë…”.
Ndërkohë, i deleguari jugosllav nga Stambolli, i raportonte Beogradit për takimin e tij me këshilltarin e lartë të MPJ-së së Turqisë, Mexhit Beu, i cili siç bëhet me dije, ka shpreh brengosjen e Qeverisë së Republikës së Turqisë, për gjendjen e rëndë të popullsisë myslimane në Jugosllavi:
“…Qeveria e Ankarasë – thuhet në raport – ka konstatuar se në kohë të fundit ekziston një eksod i vërtetë i shpërnguljes së popullsisë myslimane nga vendi ynë. Një dukuri e tillë e futë në brengosje Qeverinë e Ankarasë, aq më tepër për shkak asaj se edhe ashtu ajo gjendet në rrethana të jashtëzakonshme me popullsinë e arratisur myslimane, e cila, me Marrëveshjen e Llozanës, ka filluar të vij prej Greqie….”. Autoritetet jugosllave, të frymëzuar nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, i cili veç tjerash, parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare e turke nga vatrat e tyre për në Turqi, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonat sllave. Për këtë qëllim, Parlamenti jugosllav, në mbledhjen e mbajtur më 21 gusht të vitit 1934, bëri ndryshimin dhe plotësimin e nenit 55 të Ligjit për shtetësi jugosllave, të miratuar gjatë vitit 1928, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë:
“…Jo sllavët të cilët në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 55, janë bërë shtetas të Mbretërisë ndërpriten të jenë të tillë nëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji e deri me 1 nëntor të vitit 1938 para organeve kompetente të pushtetit të shkallës së parë, ose në cilëndo përfaqësi tonën diplomatike apo konsullore në botën e jashtme, deklarojnë se tërhiqen nga shtetësia. Deklaratat të cilat u janë dorëzuar pushtetit të përmendur sikurse edhe përfaqësive diplomatike e konsullore nga ana e personave në fjalë pas 1 nëntorit të vitit 1938, e deri në hyrje në fuqi të këtij Ligji, do të konsiderohen si të dërguara me kohë…”.
Po në këtë periudhë kohore, Dhoma e Reformës Agrare në Shkup filloi një fushatë të gjerë të konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’u lejohej vetëm 0.4 hektar tokë për një anëtar të familjes”. Qëllimi kësaj politike antishqiptare, siç njoftohemi nga burimet e shumta të proveniencës policore e ushtarake jugosllave, ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos i fshatrave që shtriheshin buzë Malit Sharr e deri në hapësirën Kumanovë – Prishtinë, ku kompaktësia shqiptare ishte tepër e madhe. Autoritetet e Beogradit, shpresonin që përmes këtyre masave të ashpra agrare, do t’i detyronin shqiptarët t’i lëshojnë vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi. (vijon nesër)