Shpërndarja e inverterëve gati deri më 15 prill, 10 mijë familjeve do t’u ndahen nga 1 mijë euro për të blerë inverterë

2

Shkup, 12 shkurt – Kondicionerët “ inverterë” të premtuar nga Qeveria që nga shtatori i vitit të kaluar për amvisëritë në qytetet më të ndotura ende nuk janë askund. Vasko Kovaçevski, drejtor i Elektranave, shpreson që shpërndarja e tyre do të ndodhë deri më 15 prill.

“Procedura veç më ka filluar dhe sezoni dimëror zgjat deri më 15 prill dhe shpresoj se pjesa më e madhe e inverterëve deri më 15 prill do të jenë të porositura dhe të montuara. Këtu nuk do të ndalet, kjo masë do të zgjasë sepse nuk është vetëm për këtë sezon”, theksoi Vasko Kovaçevski, drejtor i Elektranave të Maqedonisë.

Dhjetë milionë eurot të siguruara nga Elektranat Nacionale, për subvencionimin e inverterëve janë shpërndarë nëpër katër komuna më të ndotura Manastir, Kërçovë, Tetovë , Shkup, por pothuajse asnjëra nga komunat nuk ka filluar procedurat.

Dhjetë ditë më parë kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov premtoi se së shpejti do të bëjë thirrje për subvencionim por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

“Unë pres që programi që duhej ta përgatisim do të përfundojë së shpejti dhe do të kemi konferencë të veçantë për promovim të fillimit të subvencioneve”, deklaroi Shilegov.

Masa e qeverisë parasheh që 10 mijë familjeve t’u ndahen nga 1 mijë euro për të blerë “inverterë”.Është paraparë që 5200 inverterë të ndahen në Shkup, nga 2500 në Tetovë dhe Manastir si dhe 800 në Kërçovë, ndërsa viteve të ardhshme do të kyçen edhe qytete të tjera. Subvencionet për kondicionerët inverterë ishte një nga masat për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit në qytetet më të ndotura. Me këtë masë parashihet që të ndërrohet mënyra e ngrohjes së amvisërive. Do të thotë të largohen shporetët me dru dhe në vend të tyre të vendosen inverterët. Ata prashihen të ndahen në vende ku nuk ka sistem të ngrohjes qendrore dhe të gazifikimit.

Comments are closed.