Janë shpërndarë mbrëmjen e djeshme në Montekarlo çmimet e sportistëve më të mirë të vitit, ose siç njihen ndryshme “Laureus Sportsman e Sportswoman of the Year Award”, çmimet “Oscar” për sportin. Për të katërtën herë, këtë trofe për meshkuj e mori atleti xhamajkan Usain Bolt, që barazon rekordin e tenistëve Roger Federer dhe Serena Williams. Tri medaljet e arta të fituara në Lojërat Olimpike “Rio 2016” kanë ndikuar në këtë vlerësim që sprinteri xhamajkan mori dje në mbrëmje (hera e fundit që e kishte fituar ishte viti 2013).
Ndërsa për femra, triumfoi gjimnastja amerikane Simone Biles, që e rrëmben këtë çmim për herë të parë në karrierën e saj. Një paraqitje e shkëlqyer e Biles në Olimpiadë, duke qenë një ikonë e sportit ët gjimnastikës. Mes sportistëve që morën çmime të ndryshme në këtë mbrëmje gala të organizuar para princit Alberto të Montekarlo ishin edhe notari amerikan Michael Phelps. Ai u nderua si “sportisti olimpik me më shumë medalje i të gjitha kohërave”.
Ndërkohë që, një vlerësim të veçantë mori edhe piloti gjerman i Formula 1, Nico Rosberg, që vjet fitoi për herë të parë titullin kampion. Vlerësim edhe për trajnerin italian të Leicester, Claudio Ranieri, që vjet fitoi titullin kampion në Premier League. Skuadra olimpike e refugjatëve mori çmimin e “frymëzimit sportiv”, ndërsa ekipi U-12 i Barcelonës mori trofeun e “Fair Play”. Ndërsa italiania Beatrice Vio u vlerësua si “sportistja paraolimpike më e mire”.