Një grua është shpërfytyruar tmerrësisht nga bashkëshorti i saj i hodhi acid në fytyrë. Motivi ishte mjaft banal. Gruaja kishte gjetur punë dhe burri i saj nuk mund ta pranonte një gjë të tillë dhe vendosi që të dënojë përjetësisht gruan e tij, duke e shpërfytyruar dhe rrezikuar seriozisht shëndetin. Zakira Ali Sheikh nga India vendosi që të punojë me kohë të pjesshme në një fabrikë të përpunimit të sapunit, pasi burri i saj refuzoi që të punojë si shofer, duke e lënë familjen pa para për të ushqyer dy fëmijët e tyre.
Burri i inatosur e akuzoi atë për shkelje të nderit dhe pasi e mbylli në banesë, në mënyrë që askush të mos e shpëtonte, i hodhi acid në fytyrë. “Po ulërija me të madhe dhe pas 10 minutash vëllai më erdhi në ndihmë. Dhimbja ishte e tmerrshme”, tha ajo. Sulmi e la Zakiran me dhimbje torturuese dhe të verbër në njërin sy. Nëna e dy fëmijëve tashmë ndodhet në një spital në Mumbai dhe në fyt i është vendosur një tub që të marrë frymë. Ndërkohë në internet është hapur një faqe për mbledhjen e fondeve që do të shërbenin për trajtimin e saj. Kostoja e operacionit është rreth 30 mijë paund.