Prania e të rinjve në partitë politike shqiptare është çështje figurative dhe formale, gjë e cila nuk duhet të ndodhë, pasi Forumet Rinore duhet të jenë në një ombrellë duke ruajtur dinjitetin e tyre me nder në një komunitet të përbashkët…
Arbër KADRIU
Shkup, 21 shtator – Kohëve të fundit, në opinionin e gjerë publik po diskutohet mbi çështjen se sa po përfillet zëri i rinisë nëpër forumet partiake, të cilët janë pjesë aktive e inkuadruar në aktivitetet politike të partive shqiptare. Duke marrë parasysh faktin që para disa ditëve shpërtheu edhe pakënaqësia publike në forumin e gruas të Aleancës për Shqiptarët (ASH), gjegjësisht me dorëheqjen e Arta Toçit si drejtuese e këtij Forumi, me pretekstin se zëri i gjinisë femërore nuk po respektohet fare në strukturat e kësaj partie, dhe se gjithçka po veprohet përbrenda një sistemi te ngushtë, gazeta KOHA ka marrë mendimin edhe të drejtuesve të Forumeve rinore, për të parë se sa respektohet zëri dhe vepra e tyre brenda për brenda parive.
Ata mohojnë faktin se janë të shpërfillur nga strukturat e larta te partive, por nuk e neglizhojnë faktin se ende duhet punuar në avancimin e tyre. “Nga ASH ne sot kemi deputeten më te re në Parlament (Arta Qazimi), një dëshmi e hapësirës që u jepet të rinjve në institucione, përkundër faktit se nga BDI nuk ka asnjë deputetë nën moshën 35-vjeç. Në anën tjetër, ekzekutivi në të cilën bënë pjesë edhe BDI është përplot i mbushur me burra e pleq duke përjashtuar kështu edhe të rinjtë, por skajshmërish edhe gjininë femërore. Këto janë fakte të pamohueshme, të cilat edhe njëherë na e bëjnë me dije se në ASH ekziston mundësia, ndërsa në BDI ekziston pabarazia”, thotë për KOHA, Omer Ajdini kryetar i Forumit Rinor të ASH-së, duke shtuar se në partinë e tyre respektohet dhe vlerësohet mendimi i gjithsecilit anëtarë.
Ndërkohë, Jetmir Asani nga Forumi Rinor i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thekson se rinia në Maqedoninë e Veriut nuk shfrytëzohet si resurs i kapaciteteve të ndryshme që posedon gjenerata e re, por thjesht shfrytëzohet si marioneta për fushata dhe mitingje zgjedhore. “Në BDI, të rinjtë nuk kanë kapacitete vendimmarrëse ose ndonjë pozitë kryesore përveç nëpër pozita dytësore si zëvendësdrejtorë, shef kabinetesh nëpër ministri të ndryshme, këshilla komunal pothuajse 2/3 janë të rinj që përfaqësojnë këshillat të vendosur nëpër disa komuna të vendit, po ashtu inkuadrimi jonë është edhe në disa funksione të tjera, pra sektorë të ndryshëm me faktin e vetëm që paraprakisht të rinjtë të kenë mundësinë për eksperiencë, mandej në inkuadrimin direkt funksional të posteve të ndryshme. Por, në përgjithësi – rinia në vendin tonë nuk po përfillet në përgjithësi ashtu sikurse duhet, por në vazhdimisht do të punojmë për ngritjen e saj”, deklaron Asani.
Ngjashëm mendon edhe Liridon Useini, kryetar i Forumit Rinor të Lëvizjes BESA. Ai thotë se pjesëmarrja e të rinjve në institucionet e sistemit është shumë i ulët, për të mos thënë zero. “Të them të drejtën, për fat jo të mirë, edhe kësaj radhe në përbërjen e re parlamentare pjesëmarrja e të rinjve është shumë e ulët, për të mos e thënë zero. I njëjti trend që ekziston në RMV në institucionet e ekzekutivit, ka vazhduar edhe kësaj radhe me arsyetimet e zakonshme se jeni të rinj për pozicione udhëheqëse. Unë me plot bindje ua them se edhe në Forumet Rinor (FR) që unë e përfaqësoj, por edhe në atë të BDI-së, ka të ri e të reja që shumë më mirë mund të udhëheqin sesa këta që kanë dështuar në udhëheqjet e tyre paraprake. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes nëpër strukturat e partisë, jashtë organeve të FR, në organet vendimmarrëse të partisë si Kuvendi qendror dhe Kryesia qendrore, është bërë praktike ku në të gjitha subjektet politike, vetëm kryetari i të rinjve është pjesë e këtyre dy organeve më të larta dhe vendimmarrëse. Pra, nënkuptohet që duhet të ketë më shumë përfaqësues të rinjsh ashtu siç pretendojnë në konsultimet e fundit me kryetarin e partisë. Për të qenë me konciz, është më se e nevojshme të luftohet pa kompromis diskriminimi që ju bëhet të rinjve, grave dhe femrave brenda subjekteve politike”, potencon Useini.
Lidhur me pjesëmarrjen e të rinjve në politik, profesori universitar Bashkim Selmani thotë se rinisë në përgjithësi i mungon një trung i veçantë i veprimit, si dhe lëvizjet e saj autonome të pavarura. “Nga ky anashkalim që po u bëhet atyre është konkretisht një shpërfillje ndaj ardhmërisë, në kohën e tranzicionit demokratik rinia duhet maksimalisht të zgjohet në aktivitetet e saja të shumta duke kërkuar të drejtat e tyre që paraprakisht të jenë në një zë unitar, përkundër faktit që pala tjetër janë shumë përpara nesh”, thotë Selmani. Ai, madje potencon se Forumet Rinore nëpër partitë shqiptare janë vetëm çështje figurative dhe formale, gjë e cila nuk duhet të ndodhë pasi forumet rinore duhet të jenë në një ombrellë duke ruajtur dinjitetin e tyre me nder. (koha.mk)