Bujë të madhe ditëve të fundit ka bërë një deklaratë e Agim Ademit për shpenzimet e mbuluara nga Suedia për qëndrim në Doha. Por, menaxheri i Kombëtares së Suedisë kishte thënë se Suedia nuk ka paguar asgjë, raporton Zëri.info, përcjellë gazeta Koha.
Tani, vetë Ademi në një intervistë me RTK i ka demantuar këto gjëra, duke thënë se përmes një kompanisë ‘One Two Play’, shpenzimet e tyre në Katar janë të mbuluara.
“Është e vërtetë se Kosova i ka të gjitha shpenzimet e mbuluara. Kam dokument për këtë”, ka thënë Ademi në RTK, përcjellë gazeta Koha.
“Suedia ka thënë qartë se nuk e ka paguar lojën, ata kanë thënë se nuk i kanë dhënë para për të luajtur, por kompania ‘One Two Play’ merret me këto punë”, vlerësoi i pari i futbollit kosovar.
“Kjo kompani është marrë me të gjitha shpenzimet. Me këso gjërash nuk mund të bëjmë asgjë”, potencoi ai.
“Thjesht kjo është një kampanjë kundër meje, gjëra të cilat janë kundër futbollit. Nuk do të lejojmë që grupet e interesit të kthehen në FFK, për ta zhvatur ashtu siç dinë ata”, përfundoi Agim Ademi.