Në Prishtinë, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, ka marrë më shumë vota më postë dhe me kusht sesa kandidati i LDK-së, Arban Abrashi. Nga votat që janë numëruar me postë dhe me kusht, Ahmeti ka fituar 861 vota, ndërsa Abrashi 733 vota. Nga këto numërime përfundimisht Ahmeti e ka fituar mandatin për të udhëhequr me Prishtinën, por pritet certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja. Me rezultatin e së dielës, diferenca mes dy kandidatëve për Prishtinën ka shkuar në 365, në krahasim me 237 vota sa ishte diferenca mes tyre në rezultatet e para preliminare të KQZ-së. Në ndërkohë, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, është kryetar i ri i Komunës së Prizrenit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së. Ky konfirmim erdhi pas numërimit të votave me kusht, të atyre me postë dhe të personave me nevoja të veçanta. Kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ndonëse pati më shumë vota në procesin e numërimit të votave me kusht, nuk ia doli të rrëzonte rezultatin e parë preliminar të KQZ-së për votat e rregullta. Haskuka ka siguruar 329 vota në procesin e fundit të numërimit, ndërsa Totaj 368, por që kjo nuk ka bërë që rezultati përfundimtarë të ndryshojë, pasi kandidati i Vetëvendosjes ka qenë duke prirë me 329 vota nga raundi i balotazhit. Nga rezultatet preliminare të publikuara në faqen e KQZ-së, të votave të rregullta të balotazhit, Haskuka ka pasur 25 mijë e 509 vota, kurse kundërkandidati i tij nga PDK, Shaqir Totaj kishte 25 mijë e 180 sosh.Edhe te numërimi i votave me postë, më shumti vota ka marrë Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 89 vota, kurse, Arban Abrashi 6 vota me postë. Në këtë numërim ka qenë edhe një fletëvotim i pavlefshëm, raporton KP. Edhe Vetëvendosje e Prizrenit ka fituar votat me postë. Nga 45 vota sa kanë qenë të dërguara me postë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 44 vota, kurse Shaqir Totaj i PDK-së, asnjë dhe një fletëvotim ka munguar.