Tiranë, 11 tetor – Në Lagunën e Nartës, të Orikumit dhe gadishullit të Orikumit ka nisur vëzhgimi, numërimi dhe unazimi i shpendëve shtegtarë. Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) së bashku me vullnetarë, dashamirës të shpendëve, kafshëve të egra dhe natyrës organizuan pak ditë më parë aktivitete për të festuar EuroBirdwatch 2018 në Shqipëri në 25 vjetorin e krijimit të tij.
Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi ka shpërndarë disa foto nga kjo nismë mjaft e rëndësishme e cila i siguron shpendëve një habitat më të sigurt dhe vëzhgon shtegtimin e tyre.
Klosi shprehet se: ” Eurobirdwatch2018 ku anëtarë dhe vullnetarë të AOS, ekspertë dhe studiues vendas e të huaj, studentë dhe punonjës të zonave të mbrojtura gjatë një fundjave vëzhguan:14. 571 shpendë migrues,101 specie të ndryshme ,3493 Bajza , 3010 Flamingo ,923 Sqepbiza dhe qindra e qindra shpend të tjerë”.
”Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, Pejsazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, lagunën e Orikumit dhe gadishullin e Karaburunit, moratoriumi i gjuetisë ka siguruar qetësinë në habitate dhe zhvillimin e turizmit të vëzhgimit të zogjve”,tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.
Laguna e Orikumit, kallamishteve dhe zona përreth saj është një vendqëndrim shumë i veçantë për shpendët në rrugën e gjatë të shtegtimit. Rezultatet e para janë surprizuese, kryesisht rreth unazimit të Dallëndyshes së natës (Caprimulgus europaeus) në marina dhe shkurreta. Mbi 70 individë të Dallëndyshes së natës janë unazuar dhe lëshuar përsëri në natyrë.
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) po implementon gjithashtu edhe projektin ” Luftimi i gjuetisë dhe kapjes së paligjshme të shpendëve në Shqipëri’, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, çka ndikon pozitivisht ne popullatat e shpendëve.