Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kryetari i Partisë Socialedemokrate, Shpend Ahmeti, ka jepur dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë.
Ai përmes një shkrimi në “facebook”, ka thënë se tashmë brenda kësaj partie janë organizuar zgjedhjet e reja, duke bërë të ditur se ai nuk do të kandidojë më për asnjë pozitë brenda partisë.
Të nderuar,
Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pas kohë si Parti Socialdemokrate që të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës, e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta te asnjëri individualisht sepse të gjithë kemi pas përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qrnë të arsyeshme e të drejta.
Natyrisht se përgjegjësia më e madhe është e imja si kryetar i subjektit. Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar i subjektit kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD si organ më i lartë vendimmarrës në subjekt. Meqenëse edhe Statuti i PSD kërkon mbajtjen e zgjedhjeve pas zgjedhjeve nacionale për Kuvendin e Kosovës, sot kam kërkuar nga Kuvendi i PSD mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për të gjitha strukturat udhëheqëse të partisë duke filluar nga kryetari. Kjo na mundëson që kolektivisht të reflektojmë dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe që nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do ta votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti.