Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 gusht – Internetin më të shpejtë në botë e ka shteti i Singaporit me 55.13 Mbps, ndërsa Maqedonia me 7.34 Mbps apo megabit për sekondë, renditet në vendin e 59-të në botë, shkruan gazeta KOHA . Si shtet në rangun ballkanik, për sa i përket shpejtësisë mesatare të shkarkimit nga interneti, jemi më të mirë se Bosnja e Hercegovina në vendin e 61-të, se Mal i zi në vendin e 71-të dhe Shqipëria në vendin e 78-të. Internet më të shpejtë nga Maqedonia ka Serbia në vendin e 41-të, Kroacia në vendin 40-të, Bullgaria në vendin e 27-të dhe Sllovenia në vendin e 25-të në botë.
Raporti tregon se shtetet më të fuqishme ekonomike në botë kanë edhe shpejtësinë më të madhe të internetit dhe anasjelltas, shtetet me nivel më të ulët të zhvillimit ekonomik nuk mund të lëvdohen me shpejtësinë e internetit. Vlen të theksohet se ndër shtetet që kanë internet shumë të shpejtë janë edhe disa shtete ish-komuniste që kanë avancuar jo vetëm standardin e tyre ekonomik në raport me periudhën para viteve 90-të, por edhe janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kështu, Letonia është në vendin e 6-të, Lituania në vendin e 11-të, Estonia në vendin e 13-të, Hungaria në vendin e 15-të dhe Rumania renditet në vendin e 18-të.
Sipas faqes së internetit Cable.co.uk, që ofron shërbime konsulente për provajderat britanik të internetit, televizionit dhe telefonisë, Singapori është i pari në botë me shpejtësinë mesatare prej 55.13 Mbps, në raport me Jemenin që ka 162 herë internet më të ngadalshëm dhe me vetëm 0.34 Mbps, renditet në vendin e 189-të apo të fundit në botë. Analiza bazohet në hulumtimin e përbashkët 12 mujor në më shumë se 63 milionë testime të shpejtësisë së internetit nga ana e New America’s Open Technology Institute, Google Open Source Research, Princeton University’s PlanetLab. Për të ilustruar shpejtësinë e internetit në gjuhën e kuptueshme për adhuruesit e filmit në tërë botën, analiza ka krahasuar edhe kohën e nevojshme për shkarkimin e një filmi. Pra, testet kanë treguar se vendi i parë në botë për shpejtësinë e internetit ju mundëson konsumatorëve në Singapor që të shkarkojnë një film prej 7.5 GB HD për 18 minuta dhe 34 sekonda. Nga ana tjetër, në Maqedoni, shpejtësia e internetit mundëson që të shkarkojmë një film prej 7.5 GB në formatin HD për 2:19 minuta. Në Slloveni mund të shkarkoni një film të tillë për 55 minuta, në Rumani për 58 minuta, dhe në Kroaci dhe Serbi për afërsisht një orë e njëzet minuta. Shpejtësinë më të ulët në Ballkan të internetit e kanë Shqipëria, ku një film shkarkohet për 3 orë e 39 minuta dhe Mal i Zi ku një film shkarkohet për një 2 orë e 55 minuta.
Në botën moderne me ritëm të shpejtë të jetesës që imponon edhe këmbimin e shpejtë të të dhënave, ndërsa teknologjia e informacionit është sfida e kohës, andaj edhe epoka ku jetojmë quhet “Epoka e Informacionit”. Rëndësia e përcjelljes së informacionit nëpërmjet teknologjisë ka bërë që shkëmbimet midis njerëzve të kryhen në një kohë të shkurtër, edhe pse janë të ndarë nga distanca me qindra e mijëra kilometra. Analizat më tej tregojnë se, 20 nga 30 shtete me internet më të shpejtë janë nga Evropa, shtatë janë nga Azia, dy janë nga Amerika Veriore dhe një nga Oqeania. Gjithashtu, të dhënat krahasuese tregojnë se 140 vende nuk arritën të kenë një shpejtësi mesatare mbi 10 Mbps, e vlerësuar si një minimumi i kërkuar për të përballuar nevojat e një familjeje tipike ose të biznesit të vogël. Ndër 30 shtete me internet më të shpejtë më së shumti ka shtete nga Evropa dhe Azia, ndërsa në Afrikë – gjysma e shteteve kanë perfomanca të dobëta.
Ndryshe, me Rregulloren rreth mënyrës së ndërtimit të rrjeteve publike të komunikimeve elektronike dhe mjeteve përcjellëse të Agjencisë së Komunikimeve Elektronike – është planifikuar që edhe në Maqedoni të arrihet agjenda evropiane digjitale të Evropës, e cila parashikon që deri në vitin 2020, të gjithë parapaguesit të kenë qasje në shpejtësi të internetit prej mbi 30 Mbps, ndërsa 50 për qind prej tyre pritet të kenë qasje në internet me shpejtësi prej mbi 100 megabits për sekondë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.